Analiza/ Numra për alarm, ja pse u zhyt Barcelona
Edhe pse Barça ende ruan statusin e saj si lider në La Liga, e vërteta është se skuadra e Hansi Flik ka pësuar një rënie të dukshme në ndeshjet e fundit.
Pikërisht në tri takimet e fundit ajo ka marrë vetëm një pikë nga 9 të mundshmet, duke i dhënë mundësi rivalëve madrilenë, Realit e Atletikos të afrohen ndjeshëm. Ndërsa në Champions ajo vijon me ritmin e saj të fitoreve, në la Liga gjithçka është rrokullisur. Gazeta “Mundo Deportivo” i ka bërë një analizë asaj çfarë po ndodh te katalanasit, në një përpjekje për të shpjeguar rrëshqitjen e saj.
“OFFSIDE” I ÇAKTIVIZUAR – Në Evropë, rivalët nuk kanë arritur ende të gjejnë çelësin për të neutralizuar pozicionin jashtë loje që e bën mbrojtjen e Barçës të pa të metë. Megjithatë, që nga “Bernabeu”, Barcelona ka humbur fuqinë e kësaj arme, pasi rivalët e saj ia kanë gjetur pikën e dobët. Sociedadi u zu tri herë jashtë loje, Selta dy herë dhe Las Palmasi pesë herë, por skuadra nga ishujt Kanarie arriti të thyejë vijën jashtë loje në finalen 1-2 nga Fabio Silva.
VARËSIA NGA JAMAL – Të gjitha humbjet e Barçës në La Liga kanë përkuar me mungesën e Lamin Jamal, qoftë në një ndeshje të plotë (Sociedad dhe Selta) ose në njëmbëdhjetëshen titullarë (Osasuna dhe Las Palmas). Anësori i ri ka qenë jashtë tre javëve të fundit për shkak të dëmtimit dhe është rishfaqur kundër Las Palmasit, por nuk mundi ta ndihmonte skuadrën të arrinte fitoren, pavarësisht se krijoi raste të rrezikshme.
PA PRESION, ÇEKUILIBËR – Një nga ankesat e Flik në konferencën për shtyp pas humbjes kundër Las Palmas ishte se ai pa “shkëputje” te disa lojtarë të tij. Kjo ka sjellë një çekuilibrim të ekipit.
NDRYSHIMET E FLIK – Për disa nga vendimet e tij është përgjegjës edhe Hansi Flik. Një ndër gabimet e tij janë edhe ndryshimet që trajneri gjerman ka bërë në ndeshjet e fundit. Me rezultatin kundër dhe që duhej të kthehej, Flikut iu desh pak kohë për të bërë zëvendësimet. Si kundër Las Palmasit, apo ndaj Seltës zëvendësimet e tij kanë qenë disi të vonuara. E njëjta gjë ndodhi edhe kundër Sociedadit në një kohë që Barça po mundej 0-1.
ARBITRIMI – Përtej çështjeve sportive dhe taktike të Flik dhe interpretimit të lojtarëve të tij në fushë, arbitrimi e ka dëmtuar Barçën në këtë seri të keqe të ndeshjeve të fundit të ligës. Ndodhi në “Anoeta”, ku goli i Levandovskit (0-1) u anulua në mënyrë të pashpjegueshme, me një imazh VAR që nuk përputhej me realitetin. Arbitrimi nuk pati asnjë ndikim në barazimin në Vigo por dëmtoi edhe një herë skuadrën e Flik kundër Las Palmas me dy penallti të qarta që nuk u akorduan dhe me VARin që vendosi të mos ndërhynte.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"