Analiza para ndeshjes Egnatia-Dinamo, një sfidë në krahë dhe në stola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 15:20

Analiza para ndeshjes Egnatia-Dinamo, një sfidë në krahë dhe në stola

Egnatia kampione në fuqi dhe Dinamo në përpjekje për rikthimit te lavdia përballen të premten në stadiumin e Rrogozhinës. Dy skuadrat vijnë në këtë sfidë në kuotë të barabartë pikësh, nga 15 secila pas fazës së parë.

dinamo egnatia

Janë dy nga pretendentët seriozë për titullin këtë sezon dhe ballafaqimi direkt sigurisht që ka rëndësi të veçantë. Aktualisht rrogozhinasit qëndrojnë përpara në renditje, falë fitores 0-2 në javën e parë të kampionatit. Do të jetë një duel me disa duele të tjerë brenda tij, siç janë përplasja mes lojtarëve të krahëve, nga më të mirët e kampionatit, por edhe ajo mes dy trajnerëve Ilir Daja dhe Edlir Tetova.

KRAHËT – Egnatia dhe Dinamo janë dy skuadra që një pjesë të mirë të manovrës së tyre të lojës e bazojnë te krahët. Rrogozhinasit shpesh luajnë me skemën 3-5-2, ku Fangaj në të djathtë dhe Ndreca në të majtë janë thelbësorë për skuadrën në të dyja fazat e lojës. Kujtojmë që sezonin e kaluar, kur Egnatia fitoi titullin kampion, këta dy lojtarë, pa mohuar vlerat e gjithë të tjerëve, ishin “levat” që e çonin skuadrën vazhdimisht te suksesi.

Dinamo në anën tjetër preferon rreshtimin me 4 mbrojtës, por edhe te blutë mbrojtësit e krahëve kanë një rol kyç në strategjinë e lojës. Lorran në të majtë ka treguar nivel të lartë dhe nuk ka munguar asnjë sekondë deri tani për Dinamon, ku ndonjëherë ka kaluar edhe në mesfushë. Edhe Meksi, një lojtar me shumë eksperiencë, po bën mirë me fanellën e “Nëndetëses”. Ndryshe nga Egnatia, skuadra kryeqytetase ka çifte interesante në lojë, ku Meksi dhe Zëbërgja duket se kanë pak më shumë kimi sesa çifti tjetër Lorran-Bregu. Të gjithë këta lojtarë po kalojnë një formë të mirë dhe e premtja do të tregojë se kush do ta fitojë duelin e krahëve.

TRAJNERËT – Kampioni në fuqi është Edlir Tetova, por në këtë rast sfidanti është po ai. Sepse ka përballë një trajner me një karrierë të pasur fituese dhe për më tepër durrsaku i stolit rrogozhinas e ka pasur profesor Ilir Dajën kur fitonte në fushë titullin kampion me Elbasanin. Kryeqytetasi e ka marrë drejtimin e Dinamos në javën e 4-t dhe nesër do të ketë misionin e vështirë të thyejë tabunë “Egnatia”, ndaj së cilës blutë kanë një bilanc negativ sezonet e fundit.

Daja dhe Tetova kanë filozofinë e tyre të lojës, parapëlqejnë skema të ndryshme loje, ndërsa e përbashkëta është se duken të dy më shumë “konservatorë” se “liberalë”. Janë po ashtu dy trajnerë detajistë në aspektin taktik dhe ndeshja e nesërme mund t’i ngjajë një loje shahu. Tetova ka në krahun dy faktorë: ai e drejton Egnatian prej një kohe të gjatë dhe e ka ndërtuar vetën skuadrën e këtij sezoni, si dhe luan në fushën e vet.

Daja ka ardhur te Dinamo pas nisjes së sezonit, por me eksperiencën që ka di të përballojë çdo sfidë. Të luajturit në transfertë ndërkohë nuk përbën më një problem për blutë, sepse ata gjithmonë luajnë jashtë Tiranës. Ndoshta ka ardhur momenti që Egnatia dhe Dinamo, që ecin “dorë për dore” prej disa javësh”, të ndahen nga njëra-tjetra në tabelë. Fitorja në këtë sfidë do të ishte një bonus i mirë për skuadrën që do ta arrinte, në garën e gjatë të titullit.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"