Analiza për Dinamon, faktorët që e ngjitën në majën e Superiores
Që pas derbit të humbur me Partizanin e deri te derbi i fituar së fundi ndaj Tiranës, Dinamo është shfaqur një skuadër stabël dhe me rendiment të kënaqshëm. Kreu i tabelës, që blutë mbajnë aktualisht, ka ardhur pas 3 fitoresh dhe 2 barazimesh në këto 5 javë të fundit, ku skuadra e Dajës ka bërë më mirë se gjithë të tjerët. Më e vështira vjen tani, pasi siç thuhet në futboll, është më e vështirë ta mbash kreun se sa ta fitosh atë.
Dinamo në fakt duket një skuadër më solide tashmë, që arrin të mposhtë rivalët direkt edhe me mungesa të rëndësishme. Paraqitja e 18 herë kampionëve të vendit dhe vendi i parë kanë sjellë entuziazëm, por të gjithë janë të vetëdijshëm se duhet edhe një sforco e fundit për këtë vit ndaj Egnatias, që festat e fundvitit të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ngjitja e Dinamos në majë ka ardhur përveç të tjerash nga disa elementë shumë të rëndësishëm: faktori Daja, boshti i skuadrës, qetësia financiare dhe atmosfera pozitive në grup.
FAKTORI DAJA – Dinamo, pavarësisht se si del në përballjen e së shtunës me Egnatian, kuotohet tashmë si një nga kandidatet kryesore për titullin kampion. Dhe këtu një meritë të padiskutueshme ka trajneri Ilir Daja, i cili e mori drejtimin e ekipit në javën e 4-t. Transformimi teknik i Dinamos me uljen e Dajës në stol është reflektuar qartë në fushë, jo vetëm me pikët e grumbulluara, por edhe me nivelin e lojës. Mbi të gjitha, trajneri i suksesshëm ka injektuar në skuadër mentalitetin e fituesit dhe bashkë me lëvizjet që ka bërë në formacion, e ka çuar atë nga fundi i tabelës në majën e saj.
BOSHTI – Blutë, të cilët kanë bindur në fushë me lojë dhe rezultate, kanë një bosht të fortë që jep garanci për të vazhduar me këto ritme, pse jo dhe më mirë. Prapavija, edhe pse me dy lojtarë që nuk e kanë rol natyral qendrën e mbrojtjes, si Dita dhe Aliji, është përmirësuar ndjeshëm nga java në javë. Dinamo e nis lojën nga poshtë dhe këta lojtarë, bashkë me dy anësorët Meksi e Lorran, janë thelbësorë në lojën e kryeqytetasve.
Për të kaluar në mesfushë, ku fiziku i Gudiabit dhe eksperienca e Tolit i shërbejnë më së miri ekipit. Për sulmin e Dinamos pastaj ka pak fjalë për të thënë, pasi golat flasin vetë. Zabërgja, Mandela, Bregu dhe së fundi Nani bëjnë vërtet një 4-she të frikshme në repartin e avancuar. Pa mohuar aspak meritat e lojtarëve të tjerë, si Hoxha, Qefalija, Karamba e Vila, apo atyre që kanë pasur pak minuta deri tani. Çfarëdo që të ndodhë në merkato, edhe nëse ndonjë nga “xhevahiret” blu shitet, skuadra e Dajës ka tashmë boshtin e saj solid. Dinamo ka krijuar fizionominë e saj të lojës, që e dallon nga rivalët, me skuadrën që vepron në bllok dhe në pjesën më të madhe të kohës dikton në fushë.
GARANCIA FINANCIARE – Një tjetër faktor i rritjes së bluve, që e ka evidentuar disa herë edhe trajneri Ilir Daja, është garancia financiare që ofron klubi me president Adrian Bardhin. Lojtarët janë krejtësisht të qetë nga kjo pjesë dhe nuk kanë asnjë lloj shpërqendrimi në punën e tyre të përditshme. Përkundrazi, janë më të motivuar për të dhënë gjithçka në shërbim të skuadrës dhe rrjedhimisht edhe të vetes, pasi përfitojnë edhe në treg.
ATMOSFERA – Te Dinamo aktuale ka edhe një gjë tjetër pozitive, që ka të bëjë me atmosferën në grup. Grupi i lojtarëve është i bashkuar, të gjithë luftojnë dhe sakrifikojnë për njëri-tjetrin. Edhe ata që luajnë pak ose aspak nuk shpresin asnjë shenjë pakënaqësie, apo xhelozie. Të gjtihë janë të lumtur që Dinamo po funksionon mirë dhe ka shanse të mëdha për të fituar trofe këtë sezon.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"