Analiza/ Rezultate surprizë dhe rokada, bindin skuadrat në transfertë. Ja formacionet e javës së 17-të në Kategorinë e Parë
Kategoria e Parë ka shpenzuar thuajse gjysmën e kampionatit dhe në përfundim të javës së 17-të, Vora është fituesi i trofeut simbolik, kampion dimri. Kjo javë ka folur më shumë për skuadrat udhëtuese, ku më shumë i ka vlejtur Flamurtarit, që ka bërë rokadë në renditje me Besën.
Nuk kanë munguar rezultatet surprizë, pasi pjesa dërrmuese e tyre kanë hapur luftën për kreun duke i ngjeshur më shumë skuadrat, sidomos treshen e parë. Vora ishte pranë mbylljes së vitit me fitore, por në fund të transfertës së Pogradecit, vendësit barazuan me Beçkën golin e shënuar më parë nga i zakonshmi Ruzgis te Vora. Vorakët e kanë kontestuar shumë golin, sidomos pas ndeshjes, pasi pretendonin për pozicion jashtë loje të Beçkës. Gjithsesi, Vora e mbylli pjesën e parë të sezonit në krye me 41 pikë, dy më shumë sesa ndjekësi më i afërt, që tani është Flamurtari. Vlonjatët morën një fitore dramatike, por shumë të vyer në Tropojë.
Suksesi i Flamurtarit erdhi nga stoli, pasi goli i shënuar në minutën e katërt shtesë ishte produkt i dyshes Kobian-Shkurtaj, që u aktivizuan në pjesën e dytë. Me këtë trepikësh rritet sërish optimizmi në kampin vlonjat, pasi pas barazimit në Fier sikur u ftohen se përfunduan të tretët dhe ishin 4 pikë larg kreut. Humbësi i madh i javës së 17-të është Besa, që u mund në mënyrë shembullore në shtëpi nga Apolonia në shifrat 0-2. Fierakët janë një skuadër e çuditshme dhe me luhatje, ku dinë të “shtrijnë në tapet” pretendentët kryesorë, por dështojnë me të ashtuquajturat skuadra të vogla, apo të të njëjtit nivel. Besa humbi shansin që ta mbyllet e para 2024-ën, ndërsa Apolonia me trepikëshin e fundit u ngjit në vendin e tetë me 19 pikë. Në këtë takim vlen të përmendet goli i dytë i Apolonisë i shënuar nga Antoni Umejiego, i cili e mori topin nga porta në portë duke sfiduar këdo që i dilet para dhe në fund e mbylli me një realizim perfekt.
Burreli i trajnerit Ditmar Bicaj nuk është më surprizë, por një realitet i bukur në Kategorinë e Parë. Matjanëve u ka mjaftuar një gol për të shtangur Lushnjën në “Roza Haxhiu”. Burreli është i katërti me 30 pikë dhe me suksesin e fundit është afruar më shumë me treshen e kreut. Kastrioti ka thelluar edhe më shumë krizën e Erzenit, ku krutanët arritën të marrin një fitore me “dhunë, siç e etiketoi trajneri Stavri Nica. Erzeni mbetet skuadra e vetme që ka zero në kolonat e klasifikimit, pikërisht te fitoret. Ndërsa Besa e ka hequr zeron e saj, pasi më në fund e provoi shijen e humbjes. Derbi i Veriut mes Korabit dhe Kukësit i ka buzëqeshur më në fund skuadrës dibrane, që është kthyer te fitorja. Të besuarit e trajnerit Agim Canaj fituan 2-1, por të dy ekipet shpresat e ndryshimit i kanë nga merkatoja e dimrit, ku më të nevojshme i kanë kuksianët.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"