Analizon sfidën e sotme në Ballsh, Abazaj: Shkarkojmë tërë “bateritë” kundër Egnatias
Ballshiotët nga e premtja janë në regjim shtetrrethimi, ndërsa sfida me Egnatian është vlerësuar shumë. Kërkohen pikët maksimale në këtë duel shtëpie.
Bylisi do të luajë me forca të plota, ndërsa në Ballsh janë optimistë edhe pse e kanë të qartë, se do të ndeshen me një nga ekipet më të mira të elitës. Kapiteni Marin Abazaj, në prag të duelit më rrogozhinasit, për “Panorama Sport” ka analizuar gjendjen e skuadrës.
TIRANA – “Të them të drejtën kemi punuar shumë, sepse nuk la aspak një shije të mirë ajo ndeshje me Tiranën, por u kualifikuam në Kupë dhe na shërben shumë sidomos në aspektin moral. Këtë periudhë e kemi shfrytëzuar në favorin tonë që edhe të korrigjoheni dhe të përmirësohemi, për të qenë më të konsoliduar në betejat e radhës, sepse Bylisi unë sërish e theksoj që është më mirë si ekip me 3-4 skuadra të elitës”.
PROBLEMET – “Kemi pasur probleme, ambientime të lojtarëve qe kanë ardhur në merkato nga ndryshimi i grupit, por edhe dëmtimet rrugës, pasi shpesh ka pasur lëvizje. E rëndësishme është që ne kemi një organikë të pasur, jemi djem me dëshirë, një grup mjaft i harmonizuar, sepse rrimë gjithë kohës së bashku, por na mungon fati, sepse në shumë ndeshje kemi luajtur më mirë se kundërshtarët dhe në fund jemi mundur”.
PENGJET – “Egnatian e respektojmë, por nuk e kemi aspak frikë, për më tepër që luajmë në fushën tonë. Na mundën në fazën e parë, por në atë sfidë, pati disa episode të dyshimta kundër nesh që ndikuan në rezultat. Këtë herë duhet që të fitojmë me patjetër, për më tepër që luajmë dy ndeshje radhazi në shtëpinë tonë dhe duhet kthesa”.
“XIXA” NË FUSHË – “Duhet që të “shtrëngojmë dhëmbët”, sepse jemi djem të rinj dhe me dëshirë dhe të lëshojmë “xixa” sidomos në fushën tonë. Duhet që të jemi ai Bylisi që dikur nuk guxonte të merrte pikë asnjë ekip e aq më tepër në Ballsh. Luftë sportive dhe futboll agresiv, duhet që të jemi më me ritëm. Nëse fitojmë këtë ndeshje kam besim se edhe pas kalimit të turit në Kupë do të ndryshojë shumë morali i ekipit tonë në vijim”.
DOMINIMI – “Mendoj se janë grup dhe kanë cilësi, por në këtë ndeshje do të jemi ne që do të bëhemi zotër të fushës. Stafi dhe trajneri kanë punuar shumë këtë periudhë ndërprerje të garës, si në aspektin psikologjik ashtu edhe atë fizike e teknikotaktik. Kështu që duhet të “shkarkojmë bateritë” të dielën ndaj Egnatias”.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"