Ançeloti ironizon për Mbape: Nuk kam agjenci udhëtimesh, unë shkova në Londër…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2024 | 11:39

Ançeloti ironizon për Mbape: Nuk kam agjenci udhëtimesh, unë shkova në Londër…

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, doli sërish në plan të parë pas pushimit të kampionatit spanjoll si rrjedhojë e angazhimeve të Spanjës. Ai ka analizuar të gjitha lajmet për Realin e tij në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Selta Vigos.

anceloti

Siç dhe pritej, mediat janë marrë “rastin Mbape” dhe udhëtimin e tij në Stokholm, që me sa duket është kthyer në një bumerang për vetë atë dhe klubin. Ançeloti ka folur natyrisht edhe për ndeshjen, por dhe me merkaton e dimrit, me klubin që duhet të ndërhyjë në mbrojtje. Ai nuk i ka kursyer batutat me gazetarët për Mbapenë.

“Ditët e pushimit i ishin caktuar dhe më pas secili zgjedh atë që dëshiron të bëjë. Unë shkova në Londër për dy ditë dhe nuk i kam kërkuar leje askujt. Unë nuk kam një agjenci udhëtimesh për të organizuar udhëtimet e lojtarëve”, tha ai nga konferenca për shtyp. Trajneri italian që kishte konsumuar 5 pyetje vetëm për Mbapenë foli dhe për gjendjen e tij fizike.

“Ai ka përfituar nga kjo pauzë për të përmirësuar gjendjen e tij, është shumë mirë… i lumtur dhe i etur për të luajtur. Këto 15 ditë e kanë ndihmuar shumë, sepse ai është një lojtar ndryshe nga ai para pushimit”, tha Ançeloti.

Numri një i stolit të “Los Blancos”, nuk e ka mbyllur mundësin që Reali të futet në merkato në janar, për të zëvendësuar Karvahalin ose Alaba. “Nuk e përjashtojmë mundësinë e nënshkrimit të një lojtari, por nuk është e lehtë ta bëjmë këtë, sepse për të luajtur për Realin nuk është e thjeshtë. Ne do të përdorim ekipin e të rinjve dhe do të presim edhe rikthimin e Alaba, i cili po rikuperohet mirë dhe do të punojë me ekipin së shpejti”.

DANI KARVAHAL – “Më vjen keq për Danin, sepse ai është një pjesë e rëndësishme. Ne e kemi humbur atë si lojtar, por jo si lider, sepse ai do të vazhdojë të punojë me ne, ne do të përfitojmë nga truri i tij dhe forca e tij fizike. Kemi punuar mirë gjatë kësaj pauze sepse shumë lojtarë e kanë përmirësuar gjendjen e tyre fizike. Nga ana tjetër, ata që janë kthyer nga kombëtaret kanë bërë mirë. Kemi një ndjenjë të mirë ndaj një kundërshtari që po luan mirë dhe i shoh lojtarët e mi të motivuar dhe në gjendje të mirë”.

200 NDESHJE NË LIGA ME MADRIDIN – “Ka shumë momente të mira dhe jo aq të mira me Real Madridin. Nuk e dija që po mbushja 200 ndeshje dhe synimi është të shtoj sa më shumë. Unë dua të arrij 300. Le të shohim nëse do të arrij atje.”

TUHEL, TRAJNERI I RI I ANGLISË – “Nuk kishte asgjë mes meje dhe Anglisë. Ata kanë zgjedhur një trajner shumë të mirë dhe taktikisht shumë të fortë. I uroj atij më të mirat.”

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"