Anësori gjen rrjetën e parë, Hilaj: I kënaqur për golin ndaj Korabit, Kukësi po ecën mirë
Klevis Hilaj ishte heroi i Kukësit në ndeshjen me Korabin të shtunën, duke i dhënë tri pikë mjaft të rëndësishme skuadrës së tij. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 20-vjeçari nuk e fsheh kënaqësinë për këtë gol, për më tepër që ishte i pari për të me verilindorët.
Gjithsesi, ai më shumë i gëzohet faktit që skuadra doli me fitore. “Me golin jam shumë i kënaqur, sepse ishte i pari që shënoj për Kukësin, për më tepër që i dha edhe tri pikët skuadrës. Është një gol që shkon për familjen time. Kjo fitore ishte një detyrim për ne, pasi luanim në fushën tonë dhe vinim pas një fitoreje me Valbonën”, u shpreh fillimisht lojtari i Kukësit. Më tej, ai pohon se tani skuadra po krijon një vazhdimësi në rezultate, një ogur i mirë ky për këtë kampionat. “Janë dy fitore radhazi, skuadra po ecën shumë mirë dhe po stërvitemi shumë mirë. Sigurisht që mund të bënim edhe më mirë, ku lamë pikë ndaj Apolonisë edhe Flamurtarit, por shohim përpara”, vijoi më tej Hilaj.
Sa i përket ndeshjes së radhës, atë me Pogradecin në transfertë, 20-vjeçari beson te një tjetër rezultat pozitiv. “Pogradeci është një ekip i mirë, luajnë në fushën e tyre, por ne shkojmë vetëm për fitore dhe jemi të përgatitur për këtë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën futbollisti i bluve. Verilindorët kanë aktualisht nëntë pikë në kampionat dhe mbajnë vendin e gjashtë në klasifikim, duke iu larguar në këtë mënyrë edhe vendeve të fundit të renditjes së Kategorisë së Parë.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"