Apolonia akord me 2 lojtarë libanez. Në varësi të afrimeve do të zhvillohet operacioni “fshesa”, rrezikon stoli
Apolonia ka gati afrimet e para të merkatos së dimrit. Edhe pse asnjë zyrtarizim nuk ka ardhur deri në këto momente, fierakët janë në bisedime të avancuara me dy lojtarë. Bëhet fjalë për dy libanezë, të cilët janë kontaktuar prej disa javësh nga Apolonia dhe duket se në parim ka një akord me drejtuesit fierakë.
Ata janë lojtarë ofensivë, njëri mesfushor dhe tjetri sulmues, që kanë luajtur në ligat libaneze, por klubi është hermetik për sa i përket emrave, pasi mungon firma përfundimtare. Gjithsesi, pritet që shumë shpejt këta lojtarë të vihen në dispozicion të trajnerit Sedat Pajaziti. Të kontaktuar nga “Panorama Sport”, drejtuesit e Apolonisë kanë konfirmuar faktin se janë pranë akordit me këta dy lojtarë, por nuk pranojnë të japin më shumë detaje për profilet e tyre, pasi nuk duan që të kenë interesime. Përveç dy libanezëve, klubi fierak kërkon përforcime edhe për mbrojtjen, në mënyrë që trajneri Pajaziti ta ketë të kompletuar skuadrën për gjysmën e dytë të sezonit.
Aktualisht janë tre lojtarët e larguar zyrtarisht nga Apolonia, por edhe disa të tjerë janë me valixhe në duar. Operacioni “fshesa” pritet të përfshijë lojtarët e stolit. Që nga debutimi në krye të pankinës fierake, trajneri Pajaziti piketoi një 11-she lojtarësh titullarë, të cilët përballuan të gjitha ndeshjet deri tek e fundit ndaj Burrelit si, Bushi, Hebeja, Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Topi, Musa, Bejzade, Trifoni, Maksuti, Umejiego, me ndonjë përjashtim kur kanë munguar për shkak dëmtimi apo kartonësh. Ndërsa Çulli dhe Rajmond janë aktivizuar si zëvendësues, por pa peshë në minutazh. Më pak janë aktivizuar Bega, Gabriel, Idris, Opejemi, Hoxhaj, Injehu dhe Zhozef.
Pikërisht lojtarët e stolit fierak kanë treguar diferenca të mëdha me titullarët. Siç shihet, stoli fierak nuk është preferuar shumë nga trajneri Sedat Pajaziti, përjashto sfidat në Kupë ose kur ka qenë i detyruar. I sollëm të gjitha këto të dhëna, pasi burime brenda klubit fierak saktësojnë se do të ketë një “fshesë” të madhe për sa u përket lojtarëve të stolit. Për momentin këto lëvizje janë pezull, sepse fierakët kërkojnë fillimisht të mbyllin gjithçka me afrimet e më pas të vijojnë me largimet, për të mos u gjendur me një ekip të boshatisur, siç ndodhi në Burrel ku kishin vetëm 3 alternativa në pankinë.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"