Apolonia bëhet me dy Repaj në ekip, kërkohet edhe një sulmues anësor i lirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2024 | 13:00

Apolonia bëhet me dy Repaj në ekip, kërkohet edhe një sulmues anësor i lirë

Serjan Repaj do të vijojë të jetë lojtar i Apolonisë edhe për këtë sezon. Qendërmbrojtësit shkodran i dështoi transferimi në një tjetër ekip dhe për pasojë është detyruar që të bëjë prapakthehu. Burime të sigurta në klubin fierak bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se nuk u arrit akordi përfundimtar me Bylisin në Superiore, atje ku shkodrani pretendonte të vijonte karrierën.

omer repaj apolonia

Kështu që mbrojtësi është rikthyer sërish në Fier, edhe për faktin se ka një kontratë aktive me Apoloninë edhe për një sezon. Drejtuesit e Apolonisë e kanë mirëpritur rikthimin e tij në radhët e ekipit të drejtuar nga Artan Mërgjyshi. Në kushte të tilla Apolonia përforcon qendrën e mbrojtjes me 3 lojtarë në dispozicion, të cilët mund të luajnë në atë pozicion duke e dubluar kështu këtë repart. Edhe pse rikthimi i qendërmbrojtësit Repaj është garanci dhe siguri në prapavijë, drejtuesit e Apolonisë nuk hoqën dorë nga merkatoja, pasi kanë afruar një tjetër mbrojtës, i cili i duhej me çdo kusht për të kompletuar këtë repart. Tashmë prapavija e Apolonisë është e plotësuar.

Omer Repaj- Orët e fundit të merkatos së verës ishin të rëndësishme për Apoloninë, pasi synohej vazhdimisht kompletimi i skuadrës në ato vende ku ka pasur dhe vijonte të kishte ende mangësi. Në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” ka mbërritur mbrojtësi Omer Repaj, i cili është një përforcim i rëndësishëm për mbrojtjen. Ishte ky reparti ku fierakët kishin më shumë nevojë. Futbollisti 19-vjeçar, me origjinë nga Shkodra, mbërriti pasditen e djeshme në Fier dhe nga sot do të nisë stërvitjen. Për ndeshjen e radhës me Kukësin në kampionat, ndoshta mund të jetë vetëm në stol. Fierakët po kërkonin me ngulm një mbrojtës dhe Omer Repaj u bashkohet Ndubuisit dhe Serjan Repajt në këtë sektor, por edhe anësorit Asllanaj në ndonjë rast të veçantë. Pozitiv për klubin është fakti që ai nuk llogaritet si i huaj, pasi është nga Shkodra.

Përforcime- Edhe pse jemi në javën e parë të shtatorit në Fier vijojnë të jenë ende aktivë në merkato. Nëse në dalje gjithçka është e mbyllur dhe nuk do të ketë më asnjë largim, në hyrje klubi është ende i angazhuar për të sjellë edhe një tjetër lojtar, i cili është cilësuar si tepër i rëndësishëm për stafin teknik fierak. Bëhet fjalë për një anësor, lojtar që mbulon krahët e sulmit dhe për të pasur një konkurrencë më të madhe. Aktualisht në dy krahët e sulmit luajnë Maksuti dhe Trifoni dhe mbajnë të vetëm këto pozicione. Në këtë fazë klubet mund të afrojnë vetëm lojtarë që janë pa kontratë. Nevoja e një sulmuesi anësor është cilësuar si e rëndësishme nga Mërgjyshi, ku ka kërkuar të dublojë çdo pozicion të fushës dhe ky është i vetmi pozicion që nuk i ka lojtarët të dubluar për të pasur garanci për vijimësinë. Ajo që kërkon stafi drejtues është që veç dublimit të rrisë konkurrencën për të mbajtur nën presion lojtarët për një fanellë titullari. Bisedimet janë të avancuara me dy elemente të huaj, por në këtë moment nuk ka një akord përfundimtar mes palëve.

HILMI SALIU- PANAORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"