Apolonia bie nga një autogol. Pogradeci dominon me raste, mbrojtësi Ndubuisi i pafat shënon në portën e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2024 | 22:16

Apolonia bie nga një autogol. Pogradeci dominon me raste, mbrojtësi Ndubuisi i pafat shënon në portën e tij

Stadiumi “Gjorgji Kyçyku” rezulton fatsjellës për Pogradecin, që arrin të arkivojë 3 pikë të arta në shtëpi. Dje, vendësit kanë mposhtur me rezultatin e ngushtë 1-0 Apoloninë në një duel tepër të luftuar, ku në fund ata që festuan ishin pikërisht liqenorët. Vendimtar ishte autogoli i mbrojtësit Ndubuisi në minutën e 80-të.

pogradceci feston ndaj Apolonise

Pjesa e parë- Vendësit e nisën në sulm sfidën, teksa mesfushori Pengu, “flirtoi” me golin në minutën e tetë. Gjuajtja e tij nga jashtë zone përfundoi ngjitur me shtyllën. Apolonia përgjigjet në të 21-ën, por goditja me kokë e sulmuesit Umejiego pritet nga Jelovac. Në të 26-ën, janë sërish miqtë të rrezikshëm në sulm, madje pretenduan për një penallti, pas një dueli mes Trifonit dhe Topllarit brenda zonës, por për gjyqtarin Lata gjithçka është e rregullt. Ndërkohë në minutën e 35-të, Pogradeci ishte më afër se kurrë për të gjetur golin e avantazhit, por Danladi nuk arrin të koordinohet si duhet. Momenti më i bukur i pjesës së parë vjen në minutën e 47-të. Goditje dënimi për Apoloninë, topi goditet fort tokazi, prej sulmuesit Trifoni, por Jelovac zgjatet dhe devijon me njërën dorë, topi ngelet sërish në zonë, por gjuajtja e Hebejës është krejtësisht për t’u harruar.

Pjesa e dytë– Pas pushimit, trajneri Nikaj kryen menjëherë një zëvendësim. Lë lojën Topllari dhe hyn sulmuesi Pius. Fraksioni i dytë nis sërish me Pogradecin në sulm. Pikërisht dy sulmuesit Pius dhe Panadiç vihen në dy raste para portierit Bushi, por “gardiani” fierak tregon vlerat e tij. Dhjetë minuta nga fillimi i pjesës së dytë, ka tension në fushë, shkak është bërë një faull i dhënë në favor të fierakëve, i cili përfshin edhe trajnerin Samuel Nikaj. Ky i fundit kalon vijën e lejuar, proteston ashpër ndaj kryesorit Lata dhe ndëshkohet me karton të kuq. Në minutën e 65-të, Pogradeci ka shansin të zhbllokojë sfidën, kur Kastrati pason për Panadiç në zonë, por ai shpërdoron shansin për golin e parë me portën thuajse të boshatisur.. Përpos dominimit të Pogradecit, me qarkullim topi dhe raste të pastra shënimi, goli do të vinte në minutën e 80-të. Shkulaku depërton me shpejtësi nga e djathta, pa humbur kohë harkon në shtyllën e parë, aty ku mbrojtësi Ndubuisi me kokë “katranos” gjithçka, pasi e dërgon vetë topin në rrjetë. Autogol dhe Pogradeci në avantazh. Apolonia mundohet të reagojë, por pa sukses. Pas 5 minutave shtesë, asgjë nuk ndryshon dhe Pogradeci merr tri pikë shumë të rëndësishme.

pogradec apoloniii

POGRADECI – APOLONIA 1-0

GOLI: Ndubuisi 80’ (aut)

APOLONIA: Bushi, O.Repaj (Beqiraj 86’), Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Hebeja, Musa (Rakipaj 83’), Topi, Trifoni (Jasin 58’), Maksuti, Umejiego; (Në dispozicion: Ndoni, Zhozef). Trajner: Sedat Pajaziti

POGRADECI: Jelovac, Lila, Ivani, Duarte (Kazim 75’), Kastrati, Kasmollari (Shkulaku 75’), Topllari (F.Pius 46’), Raza, Pengu, Danladi (Nallbati 84’), Panadiç (Hysenllari 84’); (Në dispozicion: Nikoloski, C.Pius, Pere, Kapllani, Këndezi). Trajner: Samuel Nikaj

KARTONË TË VERDHË: Ivani 5’, Kasmollari 54’, Samuel Nikaj 54’ 55’/ Musa 25’, O.Repaj 34’, Topi 59’

Kartonë të kuq: Samuel Nikaj 55’ (trajner)

Gjyqtarë: F.Lata (Durrës), E.Burgu (Fushë Krujë), Xh.Mani (Tiranë)

VAR: O.Kuka (Tiranë), O.Yzeiraj (Patos)

Vëzhgues: Fatmir Tare (Tiranë)

Delegat: Renato Rapo (Korçë)

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"