Apolonia- Burreli, sot ora 13:00. Bicaj: Fierakët nuk na trembin, fitoftë më i miri. Repaj: Kupa e rëndësishme sa kampionati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2024 | 11:14

Apolonia- Burreli, sot ora 13:00. Bicaj: Fierakët nuk na trembin, fitoftë më i miri. Repaj: Kupa e rëndësishme sa kampionati

Apolonia synon të shkojë sa më larg në Kupën e Shqipërisë dhe sot në orën 13:00 do të presë Burrelin në Fier. Mbrojtësi i djathtë, Omer Repaj, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, thekson se mentaliteti i skuadrës është që të fitojë çdo takim.

apolonia burreli

Ndërprerja – “Ishte një pauzë e nevojshme, që na ka ndihmuar shumë te pjesa fizike. Jemi më të freskët ose më mirë kemi rimarrë veten. Na shërbeu edhe si kohë për t’u përmirësuar në çdo drejtim. Jemi stërvitur çdo ditë pa pushim për të qenë në lartësinë e duhur, si në Kupë dhe kampionat”.

Kupa – “Po jemi gati. Vetëbesimi është i lartë dhe përgatitja ka qenë në nivelin më të mirë. Kemi punuar për të qenë rezultativ, ndaj shpresojmë të marrim maksimumin në të dyja takimet. Në Kupë ne duam të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. Mentaliteti i grupit është që të fitojmë çdo ndeshje. Skuadra ka “uri” dhe ambicie për të fituar dhe këtë e ka demonstruar gjatë javëve të fundit të kampionatit”.

Burreli dhe objektivi – “Ne respektojmë çdo kundërshtar dhe për të kaluar këtë tur apo për të fituar një ndeshje, cilido qoftë kundërshtari, duhet derdhur djersë dhe luftuar fort në çdo cep të fushës. Ne do t’ia bëjmë “hyzmetin”, pasi për ne Kupa është e rëndësishme sa kampionati. Do t’i vlerësojmë të dyja njësoj. Mendësia jonë e lojës është që grupi të jetë i bashkuar dhe me një objektiv, çdo ndeshje duhet fituar. Këtë mendësi do ta kemi edhe në ndeshjen e sotme të Kupës së Shqipërisë. Objektivi?  Së paku të shkojmë në “play off”. Por është edhe mundësia për më shumë se kaq”HILMI SALIU

 

 

BURRELI

Bicaj: Apolonia nuk tremb, fitoftë më i miri

“Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, ka ndikuar pozitivisht te Burreli”. Kështu thotë për “Panorama Sport” trajneri matjan Ditmar Bicaj. “Kjo, pasi gjatë këtyre ditëve janë rikuperuar disa lojtarë që kanë qenë të dëmtuar, si dhe rikthehen të tjerë, që nuk u aktivizuan për shkak kartonësh përballë Flamurtarit. Kështu që udhëtojmë të plotë për ndeshjen e kupës në Fier përballë Apolonisë dhe shpresoj që lojtarët që do të aktivizohen të japin maksimumin e tyre në fushë. Çdo ndeshje është e paparashikueshme dhe përballjen me fierakët për Kupë e parashikoj të luftuar, nisur edhe nga specifika e saj me një takim.

Për këtë ne jemi përgatitur për të dhënë më të mirën dhe për të marrë rezultat pozitiv. Do të kërkojmë që ta zgjidhim lojën sa më shpejt dhe siguruar kualifikimin. Do të ishte shumë bukur për ekipin e Burrelit që ta kalonim këtë tur, e të ndeshemi në tjetrin me Partizanin, me dy takime. Kam besim te çunat se ata do të shpalosin performancën e tyre më të mirë, dhe forcën e grupit, që realisht ekipi ka. Këtë e dëshmon më së miri kualiteti që lojtarët kanë. Ata janë profesionistë të vërtetë. Le t’ia lëmë fushës së lojës. Jam i bindur se do të zhvillohet një lojë e bukur dhe do të fitojë ekipi që jep më shumë në fushë, që uroj të jetë Burreli”, përfundon komentin e tij tekniku Bicaj. MARTIN DEDAJ

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"