Apolonia do të spostohet në bregdet, Mërgjyshin e shqetësojnë dëmtimet
Pas minifazës përgatitore të zhvilluar në qytetin e Korçës, Apolonia është duke e vijuar fazën përgatitore në shtëpi, aty ku po kryen çdo seancë stërvitore. Më pas, javën e ardhshme kanë programuar që të udhëtojnë për disa ditë rresht drejt bregdetit të Darëzezës ose Semanit, për të vazhduar kështu me pjesën e fundit të përgatitjeve intensive, përpara startit të kampionatit.
Me pak fjalë, një fazë e mirëfilltë përgatitore e ndarë në tri faza, për të mos e kthyer aspak në rutinë një nga momentet më të rëndësishme për një skuadër që do të përballojë një sezon të gjatë dhe shumë të vështirë. Një mënyrë kjo edhe për të mos mbajtur shumë gjatë lojtarët larg familjes, çka mund të ndikojë edhe në aspektin psikologjik.
Edhe pse në tërësi situata me dëmtimet tek Apolonia nuk është problematike, shqetësojnë disa lojtarë, të cilët kanë ardhur dhe njëkohësisht kanë shfaqur probleme dhe janë duke u stërvitur veçmas. Më saktësisht bëhet fjalë për katër prej tyre. Mesfushorët e qendrës, Jasin Umar Rajab dhe Mikael Rakipaj, në seancën e djeshme stërvitore nuk janë zhveshur me pjesën tjetër të skuadrës, por kanë bërë fillimisht masazh dhe në fund vrapime të lehta rreth fushës.
Nuk bëhet fjalë për dëmtime të mëdha, por klubi po tregohet shumë i kujdesshëm për të mos i rënduar dhe do të tentojë për t’i pasur gati në startin e kampionatit. Gjasat janë që t’u bashkohen shumë shpejt grupit, për më tepër që shihen si futbollistë me peshë në ekip.
Stërvitje të diferencuar ka kryer edhe mesfushori Abjel Bejzade, pasi edhe ai ka bërë vetëm vrapime, për shkak të një problemi muskulor që ka nisur ta shqetësojë ditët e fundit. Shqetësime shfaqi edhe sulmuesi i krahut të majtë Kalice D’or, i cili kreu vetëm pak minuta stërvitje me ekipin dhe më pas vazhdoi terapinë me mjekun e skuadrës. Gjithsesi, në tërësi nuk bëhet fjalë për shqetësime që mund t’i lënë shumë larg fushës dhe gjasat janë që të katërt të jenë gati për startin e kampionatit, pasi ka ende shumë kohë deri atëherë.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"