Apolonia e ka me trajnerët, vazhdon rokada në stafin teknik të fierakëve
Trajneri i portierëve të Apolonisë, Josel Shtrepi, është liruar nga detyra. Më parë, ai ka qenë portieri i Tomorit, Sopotit e Lushnjës dhe prej disa muajsh trajneri i portierëve tek Apolonia. Një eksperiencë që ka zgjatur afro 1 vit dhe që është mbyllur dje.
“Panorama Sport” mëson se bëhet fjalë për një shkarkim të tij nga detyra. Ka qenë vetë presidenti Koço Kokëdhima që ka vënë “veton”. Pa humbur kohë, drejtuesit fierakë janë vënë në kërkim të një trajneri të ri portierësh. Gazeta mëson ekskluzivisht se emri i parë i kontaktuar është Arianit Ballhysa. 51-vjeçari peqinas është një emër i njohur në Fier, pasi vite më parë ka qenë pjesë e Apolonisë, pikërisht si trajner portierësh. Bisedimet me të janë në fazë të avancuar dhe rikthimi i tij në Fier mund të quhet i mbyllur brenda javës. Gjatë paradites së djeshme Apolonia ka nisur menjëherë nga puna për sfidën e së hënës me Burrelin në “Loni Papuçiu”.
Në ndeshjen e Kupës trajneri Pajaziti mungoi në pankinë për arsye familjare, ndërsa dje zbriti i pari në fushë duke përgatitur me kujdes gjithçka. Në seancën e djeshme, stafi ka testuar nga afër gjendjen fizike të lojtarëve. Pauza e kampionatit erdhi në momentin e duhur në kampin fierak, pasi i dha mundësinë të rikuperohen disa lojtarëve të rëndësishëm e tanimë janë optimistë dhe premtojnë se do të luftojnë për tri pikë në përballjen e radhës në kampionat, kundër Burrelit. Një sfidë e vështirë në letër, por tek Apolonia janë të bindur se do t’ia dalin mbanë të marrin tri pikët.
HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"