Apolonia, e mbipopulluar në repartin e mesfushës/ Mërgjyshi kërkon zgjidhje
Ajo që konsiderohet si zemra e një skuadre, është pikërisht mesi i fushës. Rëndom në botën e futbollit thuhet, se ajo skuadër që zotëron këtë repart ka më shumë mundësi të dominojë dhe në fund të fitojë ndeshjen. Bëhet fjalë për repartin që lidh mbrojtjen me sulmin dhe kryen të gjithë volumin e lojës përgjatë 90- të minutave.
Veçanërisht ata që luajnë në qendër të saj, por edhe nga krahët. Mesa duket, në Fier e kanë të qartë një gjë të tillë dhe kanë marrë masat që ta “blindojnë” këtë repart, madje mund të konsiderohet edhe si mbipopullim. Bëhet fjalë për plot tetë futbollistë që rolin e tyre natyral e kanë mesfushorë qendre dhe krahu, dhe që përkthehet si rivalitet dhe konkurrencë në kampin fierak.
Thuhet kështu, pasi në një rol ku mund të luajnë maksimumi katër lojtarë, në Fier janë plot tetë të tillë, që do të luftojnë për të fituar një fanellë titullari në mesfushë. Dhe, ata janë: Mateo Shanajn, Rubin Hebejën, Abjel Bejzaden, Mikael Rakipajn, Kevin Injehun, Albashir Musën, Jasin Umar Rajabin dhe Enea Topi, ndonëse ky i fundit ka luajtur në qendër të mbrojtjes vitin e fundit me fierakët.
Nëse Mërgjyshi do ta vlerësojë për ta rikthyer në pozicionin natyral të riun Topi, kjo mbetet për t’u parë nga nevojat e skuadrës. Me pak fjalë, një “stres” më shumë për Mërgjyshin, që do i duhet të përzgjedhë se cilët do të luajnë nga minuta e parë dhe ata që do të qëndrojnë në stolin e rezervave, edhe pse për ndonjë prej tyre mund të ketë përshtatje në pozicione të tjera të fushës në varësi të skemës që do të përdoret.
Kjo periudhë përgatitjesh dhe ndeshjesh miqësore, do të vlejë pikërisht për të hequr dyshimet e kësaj natyre, në një kohë kur lojtarët do të jenë të gjithë nën “ethet” e titullarit apo qëndrimit në pankinë. Me pak fjalë, Mërgjyshi do të ketë luksin të hedhë në fushë ata që javë pas jave do të jenë më në formë.
MUNGESAT – Ndonëse mesi i fushës duket për momentin më i mbipopulluari, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për rolet e tjera në fushë, me fierakët që nuk kanë një organikë të pasur. Në një situatë të tillë, ata janë duke u bërë llogaritë për të pasur lëvizje të tjera sidomos në hyrje, pasi dihet që edhe përforcimet janë shumë të domosdoshme. Në një kohë që nuk duhet harruar se merkato është e hapur deri në fund të gushtit dhe në më pak se një muaj kohë, mund të ketë të tjera afrime, ku dihet që edhe në ditët e fundit të merkatos dalin në skenë “okazione”, nga ku klubi do të përpiqet të përfitojë sa më shumë të mundet.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"