Apolonia-Erzeni, sot ora:14:00/ Pajaziti: Presioni u largua, skuadra fillon ngjitjen. Luga: Vendosemi ndryshe, nuk biem në kurthin e fierakëve
Apolonia përballet sot në orën 14:00 me Erzenin në një ndeshje shtëpie, ku do të kërkojë vijimësinë për të mos humbur ritmin e rivalëve, pse jo dhe për të marrë vendin e gjashtë në renditje. Për “Panorama Sport”, para kësaj sfide trajneri Sedat Pajaziti duket optimist.
Ai është shprehur se synimi i Apolonisë në çdo ndeshje është fitorja.
Fitorja me Korabin ju hoqi presionin. Mund të themi se ekipi është më i qetë?
Nuk mund ta mohoj që ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për ne për vetë faktin që vinim nga dy barazime radhazi dhe ishim në një pozicion jo të mirë në renditje. Ishim nën presion nga mungesa e rezultateve dhe kjo na bënte që të kërkonim fitoren si të vetmen mundësi për të larguar presionin dhe për të ngritur moralin. Normalisht që jemi më të qetë. Pas atij rezultati kemi moralin më të lartë dhe jemi të përqendruar për të bërë shumë mirë në këtë ndeshje radhe.
Si e keni përgatitur ndeshjen e radhës me Erzenin?
Gjatë këtyre ditëve kemi punuar fort për ta përballuar si duhet edhe këtë ndeshje që është gjithashtu shumë e rëndësishme. Për mua çdo ndeshje është e tillë dhe vlen tri pikë. Pastaj ndeshjet në këtë kategori janë të gjitha të vështira, madje ndonjëherë skuadrat e renditura në fund të renditjes të hapin më shumë probleme. E kemi vlerësuar në maksimum kundërshtarin, por jemi në kërkim të rezultatit pozitiv.
Pra, mund të themi se synohet vetëm fitorja në shtëpi?
Është e natyrshme që ne kërkojmë gjithnjë të bëjmë më të mirën dhe ta fitojmë ndeshjen, por nuk është e lehtë. Ndonjëherë ia del dhe ndonjëherë bëhet më e vështirë. Synimi ynë është gjithnjë të fitojmë, si të gjitha skuadrat e tjera mendoj. Ky është objektivi i vetëm, pra të luftojmë dhe të fitojmë ndeshjet.
Katër ndeshje në shtëpi, por nuk i keni shfrytëzuar në maksimum. Pse ndodh kjo?
Ndonjëherë nuk kemi fituar për çështje fati, ndonjëherë prej episodeve. E rëndësishme është që për momentin jemi rikthyer te fitorja, jemi në vend të tetë dhe jemi një ekip në rritje të përjavshme. Ajo që ka rëndësi tani është të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të përmirësohemi ditë pas dite.
Duke qenë se përballë keni Erzenin e vendit të fundit dhe e prisni në “Loni Papuçiu”, a është Apolonia nën presion për të marrë fitoren?
Erzenin nuk e vlerësojmë nga pikët dhe pozicioni aktual në renditje, pasi ka një grup për t’u vlerësuar. Natyrisht që ky vlerësim nuk fsheh aspak dëshirën dhe objektivin që Apolonia ka në këtë takim. Apolonia kudo e kurdoherë hyn në fushë vetëm për fitore. Përtej vlerësimit tim real dhe objektiv për Erzenin, natyrisht që objektivi ynë, kudo dhe kurdoherë që luajmë, mbetet fitorja. HILMI SALIU
ERZENI
Luga: Vendosemi ndryshe në fushë, nuk biem në kurthin e Apolonisë
Pas humbjes në transfertë me skuadrën e Burrelit, trajneri i Erzenit Ergys Luga, nuk ka humbur kohë për seancat stërvitore, edhe pse në dispozicion ka pasur vetëm dy ditë për të përgatitur skuadrën për takimin e radhës, që do të luhet ditën e sotme në orën 14.00 në stadiumin “Loni Papuçiu” të qytetit të Fierit. Takimi përballë fierakëve pritet të jetë i vështirë, por shijakasit kërkojnë patjetër që të reagojnë. Ekipi është stërvitur me seanca të rregullta, por jo me intensitet të lartë pasi është parë që më shumë të punohet me top. Kjo, për të mos ngarkuar shumë futbollistët. Nga drejtuesit e skuadrës, po punohet për të korrigjuar ato të meta që u vërejtën përballë Burrelit.
Trajneri Luga në prag të takimit për “Panorama Sport” thotë: “Pavarësisht humbjes në transfertë me Burrelin, skuadra më është përgjigjur plotësisht me detyrat që kisha përcaktuar para takimit, edhe pse duhet thënë se kemi shpërdoruar shumë raste të pastra për shënim nga ana e sulmuesve. Kisha shumë besim se do të dilnim te një rezultat pozitiv, por ky është futbolli. Kur nuk shënon do të pësosh. Në takimin e radhës me Apoloninë, kam menduar ta vendos ndryshe skuadrën në fushë. Nuk i trembem kundërshtarit aspak. Do të bëjmë një lojë sulmuese dhe do të guxojmë për të arritur atë që të gjithë ne kërkojmë. Ekipi duhet të jetë i qartë në fushë, të jetë i përqendruar dhe me grintë. Kështu mund t’i bëjmë ballë “kurthit” të Apolonisë”, thotë për gazetën Luga. ALBERT ALIKO
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"