Apolonia kalon Burrelin dhe “peshkon” Partizanin. Pajaziati: Nuk ka rëndësi, luajmë në Kupë apo kampionat. Bicaj: Sinjale pozitive nga stoli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 12:40

Apolonia kalon Burrelin dhe “peshkon” Partizanin. Pajaziati: Nuk ka rëndësi, luajmë në Kupë apo kampionat. Bicaj: Sinjale pozitive nga stoli

Nuk ka surpriza në Fier. Apolonia bind, triumfon dhe kualifikohet më tej në Kupën e Shqipërisë. Me fitoren 3-1 ndaj Burrelit, skuadra fierake kalon në turin e 3-të të Kupës, ku rigjen Partizanin. 

APOLONIA

Ndeshja u dominuar tërësisht nga Apolonia, e cila nuk e vuri në diskutim për asnjë moment fitoren dhe rrjedhimisht kualifikimin. Serinë e golave e hapi qendërmbrojtësi Ndubuisi në minutën e 26-të, për të vijuar me qendërsulmuesin Umejiego, që gjeti golin e dytë në minutën e 37-të. Ndërsa në minutën e fundit shtesë të pjesës së dytë, sulmuesi Trifoni shënon edhe golin e tretë. Burreli rihapi sfidën në minutën e 42-të me golin e Arango, por pa cënuar kualifikimin e fierakëve. Burreli në këtë takim kishte menduar më shumë të testonte stolin.

PJESA E PARË – Takimi nis i qetë në praninë e 100 shikuesve. Apolonia shfaqet e rrezikshme portës matjane me kalimin e minutave. Në të tetën, Umejiego vertikalizon saktë topin për Maksutin, me këtë të fundit që godet përballë portierit, por Dreshaj grushton. Ndërsa në minutën e 15-të, fierakët ishin më afër golit të avantazhit, por Umejiego nuk u koordinua si duhet. Minuta 26 dhe Apolonia kalon në avantazh. Rrëmujë në zonën matjane dhe në fund është qendërmbrojtësi Ndubuisi, i cili me një të majtë të fortë mposht portierin Dreshaj. Pas 11 minutash, erdhi edhe goli i dytë dhe i qetësisë, ku Apolonia i  jep goditjen kundërshtarit me një kundërsulm. Maksuti depërton bukur nga e djathta, asiston mjeshtërisht për Umejiegon, i cili godet saktë brenda zonës dhe 2-0 për Apoloninë. Tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, Burreli rihapi sfidën me mesfushorin Arango, i cili merr bukur me gjoks një top të krosuar nga e majta dhe përballë Bushit godet saktë. Me fitoren 2-1 për Apoloninë mbyllet pjesa e parë.

PJESA E DYTË –Fraksioni i dytë nis me Burrelin në sulm dhe më kërkues, por sulmuesi Rrapi nuk arrin të shënojë në dy raste brenda pak minutash. Loja fiton emocione në minutën e 64-t, kur sulmuesi Hoti godet fort nga jashtë zone, por portieri Bushi grushton shkëlqyer. Momenti më i bukur i pjesës së dytë vjen në minutën e 76-të. Goditje dënimi për Burrelin, topi shqelmohet fort prej sulmuesit Rrapi, por Bushi zgjatet dhe devijon me njërën dorë. Topi ngelet sërish në zonë, por gjuajtja e Osikel është krejtësisht për t’u harruar. Edhe pse kanë epërsi dhe e kërkojnë vazhdimisht golin, asgjë nuk ndodh për miqtë. Apolonia vuan, por arrin të rezistojë. Megjithatë, goli i tretë që vlen kualifikimin, do të vinte në minutën e fundit shtesë. Sulmuesi Trifoni driblon këdo që i del përpara dhe në fund lëshon një “predhë” me të majtën nga rreth 18 metra dhe “sfera” shkon në rrjetë. Tre gola, dy të ardhur në pjesën e parë dhe një në minutën e fundit shtesë të pjesës së dytë, që vlejnë kualifikimin në Kupë.

APOLONIA – BURRELI 3-1

GOLAT: Ndubuisi 26’, Umejiego 37’, Trifoni 90+4’ / Arango 42’

APOLONIA: Bushi, O.Repaj, Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Hebeja, Jasin (Musa 90+1’), Topi, Çulli (Bejzade 65’), Maksuti (Trifoni 79’), Umejiego;(Në dispozicion: Kaçaj, Rajmond, Idris, Rakipaj). Trajner: Sedat Pajaziti

BURRELI: Dreshaj, Pasmaçiu, Dedgjonaj, Muriel (Shkalla 78’), Musolli, Pjetraj, Paloka (Osikel 59’), Arango (Murra 67’), Sina (Ramos 60’), Zani (Hoti 59’), Rrapi; (Në dispozicion: Dani, Fetaj, Helio, Farruku. Trajner: Ditmar Bicaj

Kartonë të verdhë: Rrapi 60’

Gjyqtarë: M.Shabanaj (Tiranë), Xh.Rroshi (Lushnjë), G.Mënaj (Ballsh)

Vëzhgues: Petrit Brahja (Tiranë)

Delegat: Agim Mone (Tiranë)

Fierakët

Pajaziati: Nuk ka rëndësi, luajmë në Kupë apo kampionat

Apolonia po përjeton një moment të mirë, gjë e cila po pasqyrohet me rezultatet e fundit në kampionat, si dhe me kualifikimin e djeshëm në Kupë, duke vazhduar më tej në këtë kompeticion. Sedat Pajaziti, trajneri i Apolonisë, pas suksesit të fundit me Burrelin, në Kupë, për “Panorama Sport” u shpreh: “E kishim përgatitur ndeshjen për ta fituar. Kupë apo kampionat nuk ka rëndësi për ne. Jam i kënaqur nga loja, pasi nuk e diskutuam për asnjë moment fitoren dhe kualifikimin. Mendova të bëj një mini-rotacion dhe mora disa sinjale pozitive prej lojtarëve të stolit. Prej nesër (sot) fillojmë punën për ndeshjen e radhës në kampionat, ku luajmë në transfertë dhe duhet të japim më shumë se 100%”.

Matjanët

Bicaj: Mora sinjale pozitive nga lojtarët e stolit

Kupa e Shqipërisë nuk hyn në shijet dhe ambiciet e Burrelit në këtë sezon dhe për këtë arsye, dueli me Apoloninë u shfrytëzua nga matjanët për të kolauduar stolin. Ditmar Bicaj, trajneri i Burrelit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” deklaroi: “Duke ditur se ishte një ndeshje e vlefshme për Kupë, mendova të aktivizoj disa lojtarë të stolit, prej të cilëve mora sinjale pozitive. Secili prej tyre dha maksimumin dhe jam i kënaqur nga mënyra e lojës. Për eliminimin nuk ka vend për mërzitje apo shqetësim duke qenë se vëmendja kryesore është te kampionati, aty duhet dhe do të bëjmë me mirë. Në fund, i uroj suksese Apolonisë sepse fitoi dhe u kualifikua me meritë”.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"