Apolonia merr lajme të mira nga infermieria, tani mendja te Burreli në Kupë dhe Kastrioti
Të shtunën, por edhe të dielën, Apolonia ka vijuar të stërvitet rregullisht në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” në kuadër të dy takimeve të radhës, që do t’i luajë këtë javë brenda 4 ditësh. Fillimisht, fierakët do të ndeshen për Kupë në Fier, të mërkurën kundër Burrelit.
Ndërkohë që në fundjavë do të përballet me Kastriotin në transfertë, takim i vlefshëm për javën e 13-të të kampionatit. Stërvitja – Fierakët kanë zhvilluar dy seanca stërvitore me ngarkesë të plotë, ku taktika dhe shpjegimet në fushë nga trajneri Pajaziti, kanë zënë një vend të rëndësishëm.
Taktika – Pas pjesës së parë, e cila shërben për ngrohjen e muskujve, trajneri Pajaziti ndau ekipin në dy skuadra. Ai mori me vete mbrojtësit, mesfushorët dhe sulmuesit titullarë, si Asllanaj, Ndubuisi, Kofi, Hebeja, Topi, Musa, Trifoni apo Umejiego dhe zhvilloi një stërvitje më të ngadaltë që kishte të bënte vetëm me anën taktike. Trajneri kishte vendosur gjashtë barriera në formë lojtari dhe një për një i udhëzonte lojtarët se si duhet të pasonin apo vertikalizonin në situatat që mund të ndeshen. Në fund, trajneri zhvilloi edhe një minindeshje.
Infermieria – Ndërsa java e re nis me lajme shumë të mira në Fier. Portieri Leonard Kaçaj ka kaluar dëmtimin. 21-vjeçari u dëmtua në ndeshjen me Korabin në transfertë. Pas ekzaminimeve, rezultoi se kishte pësuar tërheqje në kofshë dhe i nevojitej për disa javë me radhë terapi te fizioterapisti. Rikuperimi i Kaçajt zgjati shumë, ndërsa shpresohej që të mund ta kalonte për dy javë, por nuk ndodhi kështu. Ai mungoi për më shumë javë, ndërsa gjatë këtyre ditëve është duke marrë gjendjen fizike optimale nën mbikëqyrjen e përgatitësit atletik. Një tjetër lajm pozitiv vjen nga infermieria edhe për Xhovalin Trifonin. Ky i fundit, kishte pësuar një çarje në këmbë dhe kishte vështirësi të vendoste këmbën e djathtë në tokë. Tashmë edhe Trifoni e ka lënë pas dëmtimin, por ai nuk është në gjendjen e tij më të mirë fizike dhe është duke punuar shumë në këtë drejtim.
E ndërsa dëmtimi është kaluar si për Kaçajn, ashtu dhe për Trifonin, gjithçka varet tashmë nga aftësia e fitimit të gjendjes fizike. Ndërsa ka marrë lajme pozitive për dy lojtarë, pavarësisht se nuk i ka gati plotësisht për shkak të gjendjes fizike, trajneri Sedat Pajaziti është me “dhimbje koke” për dy lojtarë të tjerë. Qendërmbrojtësi Serjan Repaj ka shfaqur përsëri shqetësime. Ai po ndjen ende dhimbje në kofshë. Burime pranë lojtarit thanë për “Panorama Sport”, se ai nesër pritet t’i nënshtrohet një rezonance për të parë dëmtimin. Shqetësime edhe për Jasin Umar Rajab. Keniani ka ndier sërish shqetësime në kavilje. Pak ditë më parë Jasin ka bërë rezonancën dhe pritet përgjigjja e saj për të parë nëse dëmtimi është serioz ose jo.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"