Apolonia në “ashensor” për lart, shkatërron Erzenin me 5 gola. Pajaziti: S’e prisja kaq të thjeshtë. Luga: Ky nuk është ekipi im
Festival golash në “Loni Papuçiu”. Apolonia ka shpartalluar pa mëshirë Erzenin. Fierakët triumfojnë shpejt dhe me lehtësi, me tre gola të shënuar në pjesën e parë dhe dy të tjerë në pjesën e dytë. Takimi u vendos nga dy dopietat e sulmuesve Trifoni dhe Maksuti, si dhe goli i Umejiegos.
Treshja e sulmit ishte në ditën e saj më të mirë. Skuadra e trajnerit Pajaziti me këtë fitore kap vendin e gjashtë, ndërsa Erzenit nuk po i bën “derman” as trajneri i ri, Ergys Luga.
Ndeshja- Apolonia e nis lojën në sulm dhe pas 3 minutash gjen golin e avantazhit. Umejiego depërton me shpejtësi nga e djathta dhe asiston perfekt te pika e penalltisë për Maksutin, i cili godet saktë, 1-0 për fierakët. Në minutën e 12-të Hodo godet fort nga jashtë zone, portieri Bushi reagon në kohë. Nuk mungon tensioni mes lojtarëve. Apolonia kërkon me çdo kusht golin e dytë dhe ia dalin falë një 11-metërshi të fituar në minutën e 36-të nga sulmuesi Maksuti dhe të finalizuar nga Umejiego. Nuk kalojnë më shumë se 120 sekonda dhe Apolonia shënon golin e tretë.
Trifoni merr bukur me gjoks një top të krosuar nga e majta dhe përballë Demës me parabël trefishon në shifrat 3-0 u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i dytë nis identik si i pari, pasi në minutën e 48-të Maksuti përfiton nga një gabim i mbrojtjes së Erzenit dhe përballë portierit Dema shënon, 4-0. Erzeni vuan shumë, gjithsesi kërkon të gjejë hapësira, por gjuajtja e Migones shkoi mbi kuadrat. Në të 61-ën, Apolonia shënon edhe golin e pestë. Trifoni ekzekuton me mjeshtëri një goditje dënimi nga rreth 20 metra dhe 5-0 për fierakët. Apolonia argëtohet në fushën e lojës. Në fund, Çulli ka një mundësi të mirë shënimi, por topi merr një trajektore të çuditshme dhe përfundon jashtë kuadratit të portës. Nuk ka shtesë. Apolonia bind dhe mposht me lehtësi Erzenin në këtë ndeshje shtëpie duke marrë fitoren e dytë radhazi dhe duke u ngjitur në vendin e gjashtë.
APOLONIA – ERZENI 5-0
GOLAT: Maksuti 3’ 48’, Umejiego 36’ (11-m), Trifoni 38’ 61’
APOLONIA: Bushi, O.Repaj, Ndubuisi, Topi, Kofi, Musa (Opejemi 71’), Bejzade (Hebeja 57’), Çulli, Trifoni (Rakipaj 71’), Maksuti (Rajmond 57’), Umejiego (Gabriel 84’); (Në dispozicion: Bega). Trajner: Sedat Pajaziti
ERZENI: Dema, Gjoni, Jori (Baruti 55’), Shani, Zaimaj, Isteri, Migone, Hodo (Xheka 64’), Brahja (Mamadu 49’), Duraku (Bespalla 55’), Marinaj (Akibu 49’); (Në dispozicion: Arevalo, Shehu, Kola, Dialo, Kortes). Trajner: Ergys Luga
Kartonë të verdhë: Bejzade 50’ / Duraku 45’, Migone 60’
Gjyqtarë: E.Spahiu, R.Zaimi (Tiranë), T.Kasa (Vlorë)
Vëzhgues: Agim Guçe (Lushnjë)
Delegat: Krenar Alimehmeti (Tiranë)
Pajaziti: S’e prisja kaq të thjeshtë
Trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti, pas ndeshjes për “Panorama Sport” tha: “Më gëzon shumë fitorja e thellë në Fier. Kështu duhet të luftojmë dhe fitojmë gjithnjë, pra duke vënë zemrën dhe duke dhënë shpirtin në fushë nga fillimi e deri në fund. Ishte një ndeshje që e kishim përgatitur me kujdes, pavarësisht pozitës së Erzenit. Nuk e prisnim të ishte kaq e thjeshtë, por duhet të jemi krenarë me punën që bëjmë çdo ditë dhe përmirësimin që kemi çdo javë”.
Luga: Ky nuk është ekipi im
Trajneri i Erzenit, Ergys Lug, pas humbjes u shpreh: “Ky nuk është Erzeni im. Kjo nuk është loja jonë dhe aq më pak rezultati që prisnim në Fier. U shpërfytyruam duke pësuar 5 gola dhe duke mos bërë asgjë në fushë, pasi në katër ndeshjet e fundit kishim pësuar vetëm një gol. Të tregohem i sinqertë, ky rezultat i thellë i pësuar në Fier ka ardhur si pasojë e problemeve të brendshme të klubit. Jam i bindur për këtë. Kjo është arsyeja, por nuk mund të them më shumë se kaq”.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"