Apolonia nuk ndalet, Mërgjyshi pret edhe dy afrime “big”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2024 | 19:19

Apolonia nuk ndalet, Mërgjyshi pret edhe dy afrime “big”

Apolonia luan sot testin e fundit ose të gjashtë për këtë fazë përgatitore, me fierakët që do të kenë si kundërshtar një ekip të Kategorisë së Dytë, Orikun, në stadiumin e këtyre të fundit. Skuadra e Artan Mërgjyshit pritet që të aktivizojë nga minuta e parë “gardën e vjetër”, me elemente si: Bushi, Repaj, Ndubuisi, Asllanaj, Hebeja, Shanaj, Musa, Topi, Trifoni e Umejiego, por një vend do ta kërkojnë edhe Kaçaj, Kofi, Jasin, Zhozef, Injehu, Sulo, Ramadani, Culli, Ola Nikolas e Kalice D’or.

partizani apolonia

GODITJET- Leonard Kaçaj dhe Mathias Namdi Zhozef, apo edhe talenti Eugen Ramadani mund të quhen goditje të rëndësishme për Apoloninë e sezonit të ri. Janë nga ato afrime cilësore që ishin programuar nga klubi fierak për të pasur një skuadër me objektiva të qarta për sezonin e ri. Por, asgjë nuk ka përfunduar për fierakët sepse deri më 31 gusht pritet që me ta të bashkohen edhe dy lojtarë të tjerë me mjaft kualitet, që do të përforcojnë mbrojtjen dhe sulmin. Pritet që të jenë “qershia mbi tortë” e merkatos fierake për këtë verë.

MBROJTJA– Tek Apolonia është folur shumë gjatë merkatos së verës për afrimin e një mbrojtësi me peshë. Ai në fakt pritet të vijë deri në fundin e merkatos, por duhet theksuar se drejtuesit e klubit fierak kanë besim të madh tek i riu i talentuar Bernardin Kofi. Ai ishte një nga konfirmimet e para të Apolonisë për forcimin e mbrojtjes, pasi spikati sezonin e kaluar me Apoloninë U-19. Pavarësisht se cili do të jetë lojtari që do të bashkohet me fierakët, në klub janë të bindur se Kofi do të ketë rol protagonisti sezonin që starton pas pak ditësh, qoftë si titullar në formacion, apo edhe si zëvendësues. Qendra e mbrojtjes ka vetëm dy lojtarë për momentin, Serjan Repajn dhe Ndubuisi Francis Eneh. Për këtë arsye afrimi i një qendërmbrojtësi të tretë është detyra parësore e drejtuesve të Apolonisë në merkato.

SULMI- Një tjetër afrim të rëndësishëm drejtuesit e Apolonisë janë gati të bëjnë për repartin e sulmit. Ata kanë konfirmuar që në fillim të merkatos Kalice D’or nga Apolonia U-21 për këtë pozicion, por kërkojnë më shumë garanci dhe rrjedhimisht një sulmues me më shumë eksperiencë. Bëhet fjalë për një nga rolet më delikate, që çdo skuadër vuan për ta gjetur, ndaj dhe klubi nuk ka dashur të nxitohet.

Kohë ka deri më 31 gusht, por sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë kufizohet tregu dhe pakësohen alternativat. Gjatë kësaj periudhe janë ndjekur profile të ndryshme, të cilët nuk i kanë bindur fierakët. Së fundmi në Fier me skuadrën është bashkuar edhe një sulmues i ri, 19-vjeçari brazilian Ola Nikolas, por më shumë ai i takon të ardhmes së Apolonisë. Po kërkohet një sulmues kalibri, i cili do të jetë titullar në majën e sulmit, duke u alternuar me shtatlartin Umejiego.

HILMI SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"