Apolonia pëson gol në çdo ndeshje, Trifoni rikthim i sigurt kundër Korabit
Barazimi 1-1 me Burrelin është përjetuar si zhgënjim në kampin fierak, pasi synohej vetëm fitorja. Vlen për t’u theksuar se në këtë sezon fierakët kanë pësuar në çdo javë, minimumi një gol për ndeshje. Edhe golat e shënuar nuk janë ato që priten.
Për mënyrën se si shkoi loja ndaj Burrelit, ku kundërshtari goditi vetëm një herë portën, pika nuk merr vlerë, aq më tepër që i ka lënë në vendnumëro në renditje. Apolonia ka vijuar dje me procesin përgatitor në prag të sfidës me Korabin, që do ta luajnë nesër në Peshkopi. Me vetëm një seancë të zhvilluar në orët e mëngjesit, që ka zgjatur 90 minuta, ka vijuar edhe java anti-Korab. Vështirësia është e madhe, megjithatë të besuarit e trajnerit Pajaziti janë të bindur se do t’ia dalin. Skuadra po punon çdo ditë, ndërsa në takimin e së shtunës ekipi nuk do të jetë i plotë. Dëmtimet janë kthyer në makth për Apoloninë. Të hënën, trajneri Pajaziti nuk pati katër lojtarë të rëndësishëm. Rakipaj ishte i dëmtuar, Injehu prej kohësh është i dëmtuar, ndërsa para sfidës me Burrelin humbi shërbimet e Serjan Repajt dhe mesfushorin Hebeja, të dy për tërheqje në kofshë.
Me temperaturë ka qenë edhe sulmuesi Trifoni, i cili sakrifikoi duke luajtur 45 minuta dhe u zëvendësua menjëherë në fillimin e pjesës së dytë. Në kulmin e përgatitjeve për Korabin, trajneri ka bërë “apelin” dhe për momentin vetëm Trifoni duket rikthim i sigurt. Qendërmbrojtësi Serjan Repaj do të mungojë, pasi rikuperimi i plotë kërkon ende kohë. Mesfushori Rubin Hebeja vijon fizioterapinë dhe shpresohet për një rikuperim të shpejtë. Hebeja do të rikthehet sot në stërvitje dhe mbetet të shihet gjendja e tij, por vështirë të jetë gati për Korabin. Kundër Burrelit fierakët luajtën me një dyshe të re në qendër të mbrojtjes, Asllanajn dhe Topin.
Asnjëri nuk e ka si pozicion natyral atë të qendërmbrojtësit, por duhet thënë se paraqitja e tyre ishte e mirë. Zhozef dhe Opejemi nuk i kanë dhënë garanci trajnerit Pajaziti për një ndeshje të rëndësishme në kampionat dhe ai vendosi t’i besojë eksperiencës së Asllanajt dhe grintës së Topit. Disa lojtarë që janë bashkuar me vonesë me skuadrën, apo të tjerë që kanë pasur dëmtime, gradualisht po arrijnë në formën optimale dhe ky është një plus për Apoloninë. Bëhet fjalë për emra si Maksuti, Bejzade, Kananaj, Çulli dhe ndonjë tjetër.
HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"