Apolonia pret boshtin e huaj, fierakët sot test me Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2024 | 9:36

Apolonia pret boshtin e huaj, fierakët sot test me Korabin

Apolonia po vijon me dy seanca në ditë, tek sa e para është zhvilluar në ambientet e brendshme të akademisë, pikërisht në palestër dhe ka pasur si fokus ngarkesën e lartë fizike. Ka zgjatur afro 40 minuta ndërsa stërvitja e dytë e pasdites më shumë ka pasur si fokus lojën me top dhe ka zgjatur më shumë se 80 minuta.

apolonia

Trajneri Mërgjyshi është fokusuar edhe te taktika. Grupi ka qenë i plotë dhe nuk ka pasur mungesa. Stafi teknik do të ketë një detyrë shumë të vështirë deri në formatimin e plotë të ekipit, ndërsa prej tri javësh kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri.

Me vetëm dy lojtarë të rinj në stërvitje, Apolonia ka shtuar disi organikën në prag të sezonit të ri, njëkohësisht duke plotësuar edhe boshllëqet e lëna nga lojtarët e larguar, sidomos ata që vjet mbajtën peshë të rëndësishme. Ndërkohë, në Fier presin ende një mbrojtës qendre, një mesfushor në fazën organizative dhe një sulmues, për ta plotësuar kështu grupin dhe të startojnë garën e ethshme të Kategorisë së Parë. Të tre pritet që të vijnë nga jashtë me pista të mundshme Brazilin dhe Afrikën.

Gjithashtu për t’u theksuar se ka interesim për lojtarët që janë ende nën kontratë tek Apolonia, sidomos nga klube të Superiores. Dhe kështu që merkatoja e Apolonisë duket se do të jetë e hapur deri në limitin e kohës së saj, në hyrje, por edhe në dalje.

MIQËSORJA- Apolonia do të luajë një tjetër ndeshje miqësore, pas asaj që zhvilloi me Tiranën fundjavën e kaluar. Këtë herë do të ndeshet me Korabin. Ndeshja do të luhet ditën e sotme në stadiumin e Vorës dhe me shumë mundësi do të startojë në orën 17:30. Të shtunën e kaluar, po në këtë stadium fierakët humbën 2-1 me Tiranën e Superiores. Sot pas testit me Korabin në 17:30 në stadiumin e Vorës, stafi teknik fierak do të vendosë edhe për ata lojtarë të cilët nuk do të jenë në vijim pjesë e kontingjentit, por do të huazohen në klube të tjera të së Parës, apo pretendente serioze të së Dytës që kanë kërkuar “ndihmë” tek Apolonia. Pritet që takimi i tretë miqësor, që do të luhet sot në Vorë përballë Korabit, të tregojë më shumë rreth lojtarëve në provë dhe mundësisë për të qenë pjesë e Apolonisë në vijim.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"