Apolonia rikuperon të dëmtuarit para Kukësit, Mërgjyshi i jep prioritet mbrojtjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2024 | 11:00

Apolonia rikuperon të dëmtuarit para Kukësit, Mërgjyshi i jep prioritet mbrojtjes

Trajneri Artan Mërgjyshi është qetësuar nga rikuperimi në kohë i mesfushorit polivalent, Mikael Rakipaj, i cili do të jetë gati për Apoloninë në ndeshjen e nesërme në Kukës. Krahas tij, lajme të mira vijnë edhe nga mesfushorët kenianë Jasin Umar Rajab dhe Kevin Injehu, të cilët duket se i kanë lënë pas dëmtimet.

apolonia stervitje

Apolonia ka rinisur dje përgatitjet për ndeshjen e javës së tretë me Kukësin. Seanca e djeshme u zhvillua në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Fillimisht skuadra është ndarë në dy grupe, me nga 11 lojtarë. Në njërën anë ishin titullarët e miqësores kundër Egnatias, ndërsa grupi tjetër i përbërë nga lojtarë, të cilët ishin zëvendësuesit dhe të rikthyer nga dëmtimet. Për afro 10 minuta, të ndarë në dy grupe bënë vrapime të lehta rreth fushës. Më pas u bënë bashkë në njërin cep të fushës për të kryer ushtrime fizike. Pas këtij procesi erdhi radha e ushtrimeve me top. Pa humbur kohë, skuadra u nda në katër grupe, dy me nga 6 lojtarë dhe dy me nga pesë.

Për afro 15 minuta, lojtarët vijuan me qarkullimin e topit, herë me një takim dhe herë me dy takime. Në fund, por jo për nga rëndësia, u zhvillua ndeshja e kontrollit. Ekipi u nda në dy skuadra dhe u përfshinë të gjithë lojtarët, edhe ata të rikthyer së fundmi nga dëmtimet. Vëmendje të veçantë mori mbrojtja, si pasojë e golave të pësuar dhe u punua me çdo detaj, nga goditjet standarde te korrnet. Lajmi i keq është se Apolonia ka pësuar pëson në çdo ndeshje në këtë fillim sezoni. Pak ditë më parë, me Apoloninë është bashkuar edhe mbrojtësi shkodran, Omer Repaj.

19-vjeçari ka ardhur me synimin për të dhënë siguri dhe garanci për të “blinduar” repartin e mbrojtjes, por mbetet për t’u parë paraqitja e tij në fushë. Duke qenë se vjen nga kampionati i të rinjve, të dhënat e tij sa u përket golave mungojnë, por në klub shpresojnë të kenë qëlluar në shenjë me këtë afrim. Omer Repaj ka mbërritur vonë në skuadër dhe duhet parë përshtatja e tij me pjesën tjetër të grupit, në një kohë që do të ketë mbi supe shumë përgjegjësi.

Hilmi Saliu- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"