Apolonia, ringritja nis nga Kukësi. Mërgjyshi: Morëm çfarë deshëm. Topi: Radha të mundim edhe Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 12:06

Apolonia, ringritja nis nga Kukësi. Mërgjyshi: Morëm çfarë deshëm. Topi: Radha të mundim edhe Lushnjën

Apolonia ka reaguar në javën e tretë, ku në transfertën e Kukësit morën trepikëshin. Pas ndeshjes trajneri Artan Mërgjyshi pohoi se tensioni ishte i madh para sfidës, por ishin të bindur për trepikëshin. “Morëm atë që deshëm, pasi ishim në një moment shumë të rëndësishëm për kampionatin.

APOLONIA

Siç dihet, dy javët e para nuk kanë qenë të mira dhe për këtë arsye në këtë takim kishim tension disi më shumë sesa duhet, pasi duhet ta fitonim patjetër. Ndeshja ishte shumë e vështirë, madje më e vështirë sesa e prisja. Gjithsesi ne ishim të bindur për fitoren. Me fat në fund i morëm, por jo me fat gjatë gjithë lojës, pasi kemi kërkuar gjithë kohës për të marrë trepikëshin. Kemi qenë skuadra më e mirë në fushë dhe e kemi merituar fitoren. Ndaj Kukësit treguam fytyrën e një skuadre që do të vazhdojë dhe do të ecë përpara”, u shpreh trajneri Mërgjyshi pas fitores me Kukësin.

Enea Topi- Mesfushori Enea Topi gjen golin e parë në sezonin e tij të tretë me Apoloninë. Në ndeshjen kundër Kukësit, mesfushori ka qenë shpëtimtari i Apolonisë duke i dhuruar fitoren me golin e minutës 89.  Për “Panorama Sport”, Topi tregon emocionet e golit dhe synimet e fierakëve. Ndërkohë që foli edhe për ndeshjen e javës së katërt, që Apolonia do ta luajë të dielën në shtëpi kundër Lushnjës.

Topi, si ndiheni pas fitores së parë në kampionat kundër Kukësit?

Si në aspektin individual dhe ekipor, bëmë një ndeshje shumë të mirë në Kukës. Në radhë të parë, fitorja na shërben jashtëzakonisht nga ana psikologjike, pasi vinim nga dy rezultate negative. Tri pikët kishin  rëndësi, pasi na japin frymëmarrje dhe qetësi për vazhdimësinë. U futëm në fushë me mentalitetin e duhur dhe triumfuam në fund.

Goli i parë për ju pas tri sezonesh tek Apolonia, si u ndjetë?

Ishte një gol që erdhi pas shumë rasteve. Megjithatë, ia arrita qëllimit të shënoj një gol si profesionist tek Apolonia. Jam shumë i gëzuar, pasi me këtë gol ndihmova ekipin për të marrë pikët e plota.

E nisni lojën në mesfushë dhe e përfundoni në mbrojtje, ose e anasjelltas, ku ndiheni më mirë?

Jam i lumtur që po kap formën më të mirë dhe po luaj çdo ndeshje, si dhe të shënoj një gol të rëndësishëm për ekipin. Në fakt, roli im  natyral është mesfushor, por jemi lojtarë profesionistë dhe bëj me dëshirë çdo rol, mjafton të ndihmoj ekipin. Kështu jemi rritur si ekip, por edhe si individë.

Ndeshja e radhës është me Lushnjën, çfarë synon Apolonia?

Apolonia do të synojë maksimumin në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë fushe. Jemi me moral të lartë, kemi kualitete dhe do tentojmë maksimumin në këtë derbi. Ne vlerësojmë çdo kundërshtar dhe kësaj radhe kemi Lushnjën përballë. Jemi Apolonia dhe do të luajmë për fitoren e radhës. Kuptohet që me Lushnjën është një ndeshje shumë e rëndësishme, si të gjitha që do të kemi në vazhdim.

Pra, prisni vetëm fitore në këtë ndeshje?

Me Lushnjën do të jetë një ndeshje e fortë dhe shumë e luftuar. Nuk duhet t’ia lëmë asgjë rastësisë, pasi përballë kemi një ekip shumë të mirë. Të gjithë futbollistët janë në formë dhe kjo krijon optimizëm.

Si e shihni Apoloninë këtë sezon?

Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe t’i marrim ndeshjet një nga një. Ky është vetëm fillimi ,të luftojmë fort për objektivin sezonal. Nuk mund të bëj dot parashikime, por e sigurt është se do të bëjmë gjithçka që rrimë sa me lart në renditje. Do të jetë një sezon tjetër i vështirë, por edhe shumë i bukur.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"