Apolonia si kantier, trajneri i ri i kushtëzuar nga forma e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2024 | 11:41

Apolonia si kantier, trajneri i ri i kushtëzuar nga forma e lojtarëve

Apolonia bëri një lojë të mirë kundër Besës, ndoshta ishte më e bukura, ku edhe ritmi ishte i lartë. Gjithsesi, në minutën e parë shtesë fierakët pësuan golin e dytë dhe dolën pa pikë nga fusha. Humbja e tretë radhazi, e fundit e pësuar ndaj kavajasve, ka bërë që Apolonia të pozicionohet në vendin e dhjetë me barazim pikësh me Valbonën, që pozicionohet në vendin e parafundit me 4 pikë.

apolonia ndaj beses

Pas këtij starti negativ, veçanërisht me 3 rezultatet e fundit, 3 humbje, fierakët janë “zhytur në ujëra të turbullta” në raport me objektivat e fillimit të sezonit. Trajneri i ri, Sedat Pajaziti, e ka drejtuar skuadrën në ndeshjen e fundit, por siç pohoi edhe vetë pas humbjes me Besën, formacioni nuk është stabël ose i plotë për shkak të lojtarëve të dëmtuar. Kjo ndodh edhe për faktin se trajneri ka pak kohë në krye të fierakëve, ndërsa në fundin e merkatos kanë ardhur disa lojtarë dhe thuajse të gjithë nuk kanë gjendjen optimale për të luajtur nga minuta e parë.

Ndeshjet e ardhshme do të shërbejnë edhe në këtë drejtim. Kujtojmë që nuk kanë bërë ende debutimin e tyre për këtë sezon, mesfushori Injehu, i cili vijon të jetë i dëmtuar, mbrojtësi Matias Namdi Zhosef, mesfushori Olauale Gafar Olajemi dhe qendërsulmuesi Jakubu Mohamed Nazer. Po ashtu, kur të jenë 100% gati lojtarë si Bejzade dhe Rakipaj, të cilët nuk kanë ende gjendjen e tyre fizike, trajneri Pajaziti do të vendosë për 11-shin më të mirë. Sipas trajnerit Sedat Pajaziti, kur të vijë ky moment, skuadra mund të shmangë edhe luhatjet e forta në lojë, si ato që u panë me Besën. Prapavija ka qenë fikse deri tani, me Hebejën, Ndubuisin, Repajn dhe Asllanajn përpara portierit Bushi. Edhe këtu mund të ketë ndonjë lëvizje, pasi konkurrenca është e madhe.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sulmin, ku kanë luajtur më shumë Trifoni, Maksuti dhe Umejiego. Ndërsa reparti që mbetet për t’u stabilizuar është mesfusha, ku rivalizojnë Kananaj, Jasin, Musa, Rakipaj, Topi, Rajmond dhe ndonjë tjetër. Në çdo rast, pozitiv është fakti që Apolonia do të ketë një ekip të kompletuar, me një stol që afron alternativa të mira. I vetmi rol i pa dubluar për momentin është qendra e sulmit, me Umejiegon që është qendërsulmuesi i vetëm natyral.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"