Apolonia zhvillon test me kampionët, kthehet portieri i cili nuk firmosi dot me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2024 | 13:00

Apolonia zhvillon test me kampionët, kthehet portieri i cili nuk firmosi dot me Partizanin

Fierakët po përgatiten me intensitet të lartë për ndeshjen e radhës me Kukësin, që do ta luajnë mesjavën e ardhshme në transfertë. Krahas dy seancave në ditë, njërës në palestër dhe tjetrës në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, përgatitjet e fierakëve do të shoqërohen edhe me një takim miqësor, që Apolonia do të luajë sot në orën 17:00 me Egnatian, në Rrogozhinë.

apolonia 2024-2025

Në takimin që do të zhvillohet sot në orën 17:00, në stadiumin “Arena Egnatia”, skuadra e Artan Mërgjyshit pritet që të aktivizojë nga minuta e parë prurjet e reja me elemente si: portierët Kaçaj dhe Bega, mbrojtësi Omer Repaj dhe mesfushori Kananaj.

Megjithatë, baza e formacionit do të jetë “garda e vjetër” me elemente si: Hebeja, Ndubuisi, Serjan Repaj, Asllanaj, Topi, Kofi, Jasin, Musa, Trifoni dhe Umejiego. Gjithashtu pritet të aktivizohen edhe lojtarët e huaj, që tek Apolonia janë të shumtë. Së fundmi kanë firmosur mbrojtësi Zhosef, mesfushori Olauale Gafar Olajemi dhe qendërsulmuesi Nazer. Numri i të huajve ka shkuar në plot 12-të, ndërkohë që priten edhe disa përforcime të fundit, por nga jashtë vendit.

PORTIERI BEGA- Henri Bega do të vijojë të jetë lojtar i Apolonisë edhe për këtë sezon. Portierit të ri i dështoi transferimi gjatë merkatos dhe për pasojë ka bërë prapakthehu. Burime të sigurta në klubin fierak bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se nuk u arrit akordi përfundimtar me Partizanin, atje ku 17-vjeçari pretendonte të vijonte karrierën.

Portieri u rikthye në Fier edhe për faktin se do të firmosë një kontratë të re me Apoloninë, të paktën tri ose katër sezone. Në kushte të tilla Apolonia ka katër portierë në dispozicion, nga “gardiani” i parë Aldo Bushi, te portieri i dytë Leonard Kaçaj, e deri te të rinjtë e perspektivës, Henri Bega dhe Etem Xhemali, të cilët do të aktivizohen më shumë me U-19 dhe U-21.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"