“As presioni dhe as “Final Four””, Abazaj zbërthen krizën e Tiranës: Edhe unë jam nën nivelin tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2023 | 18:58

“As presioni dhe as “Final Four””, Abazaj zbërthen krizën e Tiranës: Edhe unë jam nën nivelin tim

Tirana në këtë pjesë të parë të sezonit nuk është shfaqur në nivelin e pritshëm nga bardheblutë, të cilët mendohej se do të ishin shumë pranë kreut. Por distanca prej 8 pikësh që tani ka vështirësuar ecurinë e ekipit dhe ka vënë në epiqendër të kritikave bardheblutë.

abazaj

Për këtë është i ndërgjegjshëm Kristal Abazaj, i cili ka shpjeguar në “Sport News” në ”News 24”, krizën e bardhebluve. Sipas tij, gjithçka ka të bëjë me një moment “jo” që është normal gjatë një sezoni për çdo skuadër.

Abazaj, tetë pikë larg kreut, a janë shumë? Pse kjo rënie e papritur?
Siç e keni parë, kjo është një periudhë e vështirë. Cilësitë e lojtarëve dihen. Me lojtarët që kemi ne, nuk na përshtatet kjo renditje. Duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë dhe besoj se do dalim nga kjo situatë.

A ndihet presioni në dhomat e zhveshjes? A ka presion tani te Tirana?
Faleminderit stafit dhe presidentit, presion nuk ka patur. Kur është jo, është jo. Besoj është diçka momentale, pra do kalojë. Nuk kemi patur presion. Presioni ka qenë zero. Është një situatë “jo”. Është thjesht diçka momentale.

Shpesh thuhet që skema e re të lejon edhe të gabosh deri në një farë mase. Sa ka ndikuar kjo te Tirana?
Duke parë sesi e nisëm fazën përgatitore dhe si luajtëm në Europë, pastaj pësuam një rënie. Final Four? Kjo nuk është arsyeja përse jemi në këtë situatë. As nuk na ul, as nuk na ngrit. Ne nuk jemi ekipi i parë që po kalon këtë periudhë. Edhe ekipe të tjera e kanë kaluar këtë periudhë.

Dakord, por skema është e njëjtë edhe për Egnatian edhe për Partizanin. Çfarë ka Partizani më shumë, apo Egnatia?
Ato mund të kenë momentin më të mirë se ne. Çdo ekip, edhe më i vogli, ndaj nesh po japin 200%. Ata janë të motivuar ndaj nesh, më shumë se ndaj skuadrave të tjera.

Abazaj, a ka ndikuar ndryshimi i trajnerit te rendimenti i ekipit këtë periudhë?
Nuk mendoj se ka ndikuar. Trajneri Ahmataj kështu e gjeti ekipin. Unë mendoj se të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë, përfshirë këtu edhe veten time. Nuk besoj se ka stafi apo dikush tjetër dorë. Thjesht është diçka që nuk e besoj.

Po ju, lojtarët, a ndjeni përgjegjësi për këtë moment? Ke një mesazh për tifozët Abazaj, janë të shqetësuar me të drejtë…
Pritet shumë. Tifozët kanë të drejtë pasi presin shumë.

Në letër duket mbrojtja problemi më i madh, 17 gola të pësuar në 12 javë. Në këndvështrimin tënd, ku është problemi kryesor?
Nuk mund të them se është mbrojtja. Nuk është aty problemi. Gjithçka fillon që nga sulmi, mesfusha, e duke shkuar deri te portieri. Ky është problemi i të gjithëve.

Pse po vonon kaq shumë goli, dukeni larg portës Abazaj, po sakrifikoni shumë për të marrë topin. Apo është çështje skeme?
Këtë periudhë e kam kaluar edhe në Turqi dhe te Kukësi. Edhe unë jam nën nivelin tim. Ky nuk është justifikim.

E bëj këtë pyetje, jo vetëm për ty, por Tirana ka një sulm të frikshëm me lojtarë si ju, Kaina, Latifi, Hasani, por dhe mesfushorë shumë ofensiv…
Ekipi ka shumë cilësi, ka shumë emra. Është pak e ndërlikuar, pasi ky është moment jo. Ndeshjen mund ta zgjidhë secili nga ne. Gjithçka do të zgjidhet me kohën.

Pavarësisht problemeve, Ahmataj nuk dorëzohet Abazaj. Tirana është për titull u shpreh pas ndeshjes me Skënderbeun. Ju si mendoni është ky ekip për titull këtë sezon?
Ne e kemi treguar që jemi për titull, kemi lojtarë për titull. Ne kemi në grup lojtarë që kanë fituar titull. Trajneri përpiqet që të na motivojë sa më shumë, pasi i di cilësitë tona.

Ndërkohë këtë javë luani kundër Kukësit. A është kjo ndeshja e duhur për të kthyer te rezultatet pozitive?
Shpresojmë që të jetë kjo ndeshje kur ne të dalim te kjo situatë. Unë besoj se kjo do të ndodhë sa më shpejt. Nuk ka ndeshje të lehta. Edhe kundërshtarët po kuptojnë situatën tonë dhe po japin 300% nga vetja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"