Askush si Milani në Seria A, Fonseka me “kooperativë” goli
Nëntë dhe njëmbëdhjetë janë vetëm disa nga numrat e sulmit kuqezi. Nëntë, si golashënuesit e ndryshëm të organikës. Njëmbëdhjetë, si numri total i golave të shënuar: një total që e bën Milanin skuadrën më të mirë në kampionatin italian për sa i përket aspektit realizues. Dhe njëkohësisht ekipin me përqindjen më të lartë të golashënuesve të ndryshëm.
Ideja e Fonsekës për futbollin ofensiv gjen zbatim konkret. Nuk është vetëm teori, ka edhe substancë. Milanit nuk i shteruan kurrë golat dhe rrugëtimi nisi kundër Torinos, një shtesë e vogël kundër Parmës, pastaj dy herë të tjera kundër Lacios dhe Interit pa harruar pokerin kundër Venecias.
Fonseka ka një skuadër që e gjen gjithmonë rrugën e golit, e ndonjëherë më shpejt se sa rivalët e presin. Ndodhi ndaj Venecias kur sfida nuk pati më vend për diskutim pas gjysmë ore, teksa edhe në derbi apo kundër Liverpulit, “blici” u servir në pak minuta. Duke qenë se po flasim për qasjen në Serinë A, për Champions-in do të ofrojmë analizën e duhur në një moment tjetër.
REKORD- Ndryshimi i interpretuesve nuk e ndryshon rezultatin: matematika e sulmit nuk është një opinion. Faktet thonë se Milani ka shënuar në të gjitha ndeshjet dhe në mënyra të ndryshme. Morata shënoi golin e tij të parë këtë sezon kundër Torinos me një prekje nga dy hapa larg, Okafor ishte shënuesi i golit të dytë kur Milani kishte shkuar i gjithi në sulm. Golat erdhën edhe me kokë nga goditje standarde (Gabbia dhe Pavloviç), nga një penallti (festim për Abrahamin), diagonalisht me Leao ose në aksion personal me Pulisiçin. Me Teo duke përfituar nga cilësia e krahut të majtë apo fat si në rastin e Fofanasë. Mbrojtës, mesfushorë, sulmues. Kuqezinj të vjetër e të rinj. Gjithsej nëntë golashënues të ndryshëm, askush në Serinë A nuk ka kaq shumë larmi.
AKTIVË DHE PASIVË – Parma, Napoli dhe Interi, të dytat në këtë renditje të veçantë, kishin gjashtë lojtarë me të paktën një gol. Milan tre më tepër. Më i miri ndër golashënuesit është Kristian Pulisiç, tre gola në Serie A dhe një në Champions. Ndër objektivat e Fonsekës, i vetmi që nuk është ndjekur ka të bëjë me Leaon: trajneri dëshiron ta bëjë atë një lojtar me vazhdimësi dhe gjithnjë e më vendimtar. Rafa asistoi për Pulisiçin në Parma, por në të njëjtën kohë stisi kundërsulmin e suksesit të kundërshtarit. Portugezi gjithashtu ktheu ndeshjen në rrugën e duhur kundër Lacios pasi e nisi nga stoli. Me Venecia u pa me pasimin me thembër Hernandez, por në derbi u shfaq dhe u zhduk sërish. Një 10 me rrymë të alternuar: Qëllimi tjetër i Fonsekës është ta bëjë atë gjithnjë e më të përfshirë. Gjithashtu duke pritur për Okafor dhe mbi të gjitha Çukvuezen, yllin parasezonal që më pas fiku dritën e tij.
REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"