Bakajoko drejt rikthimit, për Egnatian është si afrim i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 10:53

Bakajoko drejt rikthimit, për Egnatian është si afrim i ri

Egnatia i ka bërë një nisje siç i ka hije një ekipi kampion, duke grumbulluar shtatë pikë në tri ndeshjet e para dhe duke treguar sinjalet e një skuadre po aq pretendente sa vjet, megjithëse ka pësuar ndryshime të konsiderueshme, që mund të jenë edhe të rrezikshme.

bakajoko

Pavarësisht kësaj, te rrogozhinasit është parë një defekt sa i përket ndërtimit dhe rrugës që skuadra ndjek për të shkuar te goli. Ndryshe nga vjet kur kishin sulmues si Duamena e më pas Montenegro, këtë sezon ende te rrogozhinasit nuk është shfaqur lojtari që krijon diferenca në fushë. Vuthaj është përpjekur dhe ka gjetur edhe golin, por duket në një ngërç të momentit para portës, duke mos pasur ftohtësinë që pritet prej tij. Megjithatë, rrogozhinasit mund ta kenë zgjidhjen brenda.

KTHEHET BAKAJOKO – Sumail Bakajoko ka mbërritur tek Egnatia me petkun e një sulmuesi të nivelit të lartë, por askush nga ne nuk ka arritur ta njohë potencialin e 22-vjeçarit nga Ishujt Faroe. Ai u dëmtua që në ndeshjen e parë zyrtare me Egnatian, atë kundër Boracit më 10 korrik.

Të riut iu desh të linte fushën e lojës pas vetëm 21 minutash në fushë. Që atëherë ai i është nënshtruar trajtimeve për rikuperimin e plotë nga dëmtimi. Lajmi i ri është se qendërsulmuesi është kthyer në stërvitje dhe trajneri Tetova me stafin e tij po bëjnë maksimumin për ta pasur gati në sfidën e radhës kundër Vllaznisë.

Me rikthimin e tij ngjan sikur Egnatia bën një blerje ë rëndësishme me merkato të mbyllur tashmë. Mbetet të shihet sesa Bakajoko do t’i përmbushë pritshmëritë e stafit, klubit dhe tifozëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"