Barça për pikët e para në Champions, Flik: Nuk dua shaka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 11:45

Barça për pikët e para në Champions, Flik: Nuk dua shaka

Koha për të zbritur sërish në fushë për Barcelonën. Pas humbjes në La Liga kundër Osasunës, kryesuesit e kampionatit spanjoll do të luajnë sonte në mbrëmje ndeshjen e dytë në Ligën e Kampioneve.

flikk

 

Katalanasit presin Jang Bojsin në kërkim të tri pikëve të para në Champions pas nisjes me humbje në Monako dy javë më parë. Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik ishte i sigurt se skuadra e tij nuk e ndien aspak as humbjen në Monako dhe as atë në Pamplona para Jang Bojs dhe pohoi se të gjithë në skuadër janë të bindur për shanset e tyre për të marrë tri pikët e para. Trajneri gjerman pranoi gjithashtu se ai ka folur me portierin Shezni, ndërsa la të kuptohet se Frenki de Jong do të jetë në listë. Flik ka folur edhe për incidentet e ndodhura në derbin e Madridit.

CHAMPIONS – “Ne e kemi analizuar rivalin, siç bëjmë me të gjithë. Vitin e kaluar ishin kampionë, këtë vit nuk e kanë nisur mirë. Kundër Aston Vilës në ndeshjen e parë treguan se janë një ekip i shpejtë dhe duhet të jemi të vëmendshëm. Janë të rinj dhe skuadra duket cilësore, ndaj duhet të jemi të përgatitur për të mos pasur surpriza”.

PRESIONI – “Nuk e di se çfarë është presioni… jo, jo, është puna jonë. Secili ka presionin e tij në punën e tij. Ne duhet të fitojmë, ka gjithmonë presion për të fituar. Duhet të fshijmë ndeshjen e Monakos. Tani nuk kemi pikë, por luajmë në shtëpi kundër një skuadre të mirë që ka fituar, me të drejtë vendin e saj në Ligën e Kampionëve”.

RESPEKTI NË EUROPË – “Unë kam humbur vetëm kundër Monakos, nuk jam i shqetësuar për atë që ndodhi vitin e kaluar apo më parë. Të gjithë duam të jemi të suksesshëm në Champions. Unë kam një qëndrim shumë pozitiv. Skuadra punon mirë dhe luan futboll shumë tërheqës. Ne mundemi të fitojmë respekt përsëri, ne do të punojmë për të”.

GABIMET – “Kemi bërë disa gabime kundër Osasunës. Ne duhet të tregojmë cilësinë tonë me topin. Lojtarët dinë të kombinohen dhe të luajnë me topin. Është e rëndësishme të mos bëjmë gabime në mbrojtje për të fituar ndeshjet. Në nivel individual, secili duhet të dijë çfarë të bëjmë dhe të marrim përgjegjësi në terren”.

FRENKI DE JONG – “Është një lajm i madh që ai mund të kthehet në skuadër, qoftë edhe nëse bëhet fjalë vetëm për 5 ose 10 minuta. Është diçka e rëndësishme për ne”.

DERBI I MADRIDIT – “Nuk e pashë. Nuk e di se çfarë ndodhi. Nëse ka pasur probleme serioze me tifozerinë, mendoj se njerëz të tillë problematikë duhet të identifikohen dhe të ndalohen të hyjnë në stadiume. Ata që shkaktojnë probleme nuk duhet të jenë pjesë e futbollit, tifozët duhet të brohorasin ekipin dhe jo të hapin probleme”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"