Bardhebluve nuk i’u lejohet asnjë gabim, drejtuesit e Tiranës presin 3 fitore radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2024 | 9:07

Bardhebluve nuk i’u lejohet asnjë gabim, drejtuesit e Tiranës presin 3 fitore radhazi

Tirana ka kohë tre ndeshje që jo vetëm të marrë fitoret, por të ngjitet në renditje. Kjo është situata te bardheblutë me drejtuesit që duan me doemos ndryshimin.

tirana

Nëse bardheblutë do të dështojnë edhe në këto takime, atëherë klubi do të ndërhyjë. Fakt është, që trajneri, por edhe lojtarët duhet të kapin këto tri ndeshje si mundësinë për të treguar veten, pasi pozita në renditje nuk është nga më të mirat, paçka faktit që nuk janë mundur asnjë sfidë dhe nuk janë larg në renditje. Së pari ishte presidenti Refik Halili që shprehu pakënaqësitë. Më pas drejtori Agim Ibraimi e dha shenjën e dytë. Ai deklaroi se ekipi duhet të kthehet te fitorja, ndërsa trajneri dhe stafi duhet të gjejnë rrugën për ta çuar skuadrën te tri pikët.

Nga minuta e parë me Skënderbeun e deri te fundi i derbit me Dinamon është një 270 minutësh me presion të lartë për skuadrën, por mbi të gjitha mbi trajnerin Bledi Shkëmbi. Detyra është e qartë. Fitore, fitore dhe vetëm fitore.

DURIMI – Për Tiranën si klub, është hera e parë që i jep kaq shumë shanse trajnerit të saj. Shkëmbi, në këtë rast është i përkëdheluri i Halilit, nëse kujtojmë që trajnerë të tjerë për të tilla rezultate janë shkarkuar menjëherë. Për shembull, Ze Maria u shkarkua pas javës së shtatë.

Shehi vjet bëri vetëm gjashtë javë, madje ishte në krye me 10 pikë në gjashtë javë, pa e luajtur edhe derbin. E njëjta histori edhe me Ardian Memën në sezonin e dytë. Historitë e bardheblutë ka sa të duash, në këtë moment, duke parë që skuadra është e re, klubi ka menduar të presë, por jo tej fazës së parë.

Shifrat – Tirana është skuadra e pamposhtur në Kategorinë Superiore, por në pikë është një dramë më vete. Skuadra marrë 6 barazime në gjashtë javët e para. Rezultate që asnjëherë në historinë e vet nuk e ka arritur ky klub në 6 javët e para të Superiores. Tej fjalëve, problemi kryesor i kësaj skuadre është fitorja që mungon. Nga 18 pikë që duhet të merrte deri tani, Tirana, ka futur në xhep vetëm 6. Një shifër e çuditshme, por statistika e nëntë më e keqe e arritur në 10 sezonet e fundit në Kategorinë Superiore.

Këtë Tiranë që e drejton Shkëmbi, e mund skuadra e Ze Marias, që në 6 javë kishte grumbulluar vetëm pesë pikë në gjashtë javë. Dy ekipet janë në barazim për vendin në renditjen e Superiores. Të dy ekipet janë të tetat. Ekipi i 10 viteve të fundit që ka grumbulluar më shumë pikë në 6 javë, është ai i sezonit 2021- 2022. Ajo skuadër kishte 14 pikë nga 18 të mundshmet, duke barazuar vetëm dy sfida dhe fituar katër të tjera.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"