Bardhi: Përballje rivalësh, Vora e ka përvojën e duhur për të mposhtur Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2024 | 18:38

Bardhi: Përballje rivalësh, Vora e ka përvojën e duhur për të mposhtur Flamurtarin

Vora do të ketë një përballje direkt me rivalin kryesor, Flamurtarin, takim i cili do të luhet  të hënë e 2 dhjetorit në fushën e vorakëve.  Flamurtari është skuadra që i ka shkaktuar humbjen e parë Vorës, që ka rastin të “hakmerret” në këtë duel.

VORA FESTON

Veç kësaj, skuadra e Bellait e ka detyrim trepikëshin. Lidhur me këtë takim, sulmuesi i djathtë, 26-vjeçari Patrik Bardhi, që vjen pas një përvoje nga klube si Dinamo, Kastrioti apo Tirana, flet për “Panorama Sport”. “Vora do të jetë një skuadër pretendente deri në fund të sezonit, për të realizuar ngjitjen në Superiore. Kjo është një ndeshje rivalësh dhe me shumë rëndësi. Të dy skuadrat luajnë ndeshje me ritëm. Në fazën e parë vlonjatët na krijuan shumë probleme me atë humbje të thellë. E kaluam shpejt, falë përvojës së lojtarëve që ka Vora, por dhe përkrahjes së tifozërisë sonë, duke ju rikthyer fitoreve.

Në këtë takim vijmë pas një fitore të thellë në Kukës dhe morali në ekip është shumë i lartë, para kësaj sfide. Është një përballje rivalësh dhe do kujdes të madh dhe ruajtje të qetësisë. Kjo ndeshje i ka të tria rezultatet brenda dhe do të kalojë mesataren e një ndeshje futbolli, për sa i përket ritmit. Janë dy skuadra që kanë në parim sulmin dhe kundërsulmin. Këto janë ndeshje rivalësh, që prodhojnë lojë. Janë ndeshje ku asnjë skuadër nuk qëndron prapa, por luftojnë për të fituar. E kur luhet kështu, patjetër që do kujdes, sidomos mbrojtja, sepse rreziku është prezent ku edhe mund të fitosh, por edhe të humbasësh”, u shpreh fillimisht Bardhi.

SYNIMI- Në lidhje me synimi parësor dhe atë madhor të Vorës, sulmuesi Patrik Bradhi për “Panorama Sport” u shpreh: “Vora ka lojtarë ofensivë, që mund të luajmë edhe me tre sulmues. Ndërsa në ndeshjen e parë pati dhe një mbivlerësim për kundërshtarin. Mendoj se tani Vora e ka fituar përvojën dhe është e gatshme të përballojë me sukses çdo rival që i del përpara. Kështu që, synim i vetëm në këtë ndeshje mbetet fitorja. Kjo do të na çojë në fund të vitit në vendin e parë, duke e mbyllur si kampionë të dimrit”.

ABDULLA DUSHKU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"