Bashkia e Tiranës, konkurs për stadiumin “Selman Stërmasi”! Veliaj: Edhe pse është rregulluar, të kujton “Qemal Stafën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2024 | 22:08

Bashkia e Tiranës, konkurs për stadiumin “Selman Stërmasi”! Veliaj: Edhe pse është rregulluar, të kujton “Qemal Stafën”

Tashmë është zyrtare. Bashkia Tiranë së shpejti do të hapë procedurën për idenë arkitektonike të stadiumit të ri “Selman Stërmasi”.

Pamje nga lart e stadiumit “Selman Stërmasi”

Pamje nga lart e stadiumit “Selman Stërmasi”

Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj që bëri të ditur një lajm të tillë nga foltorja e këshillit Bashkiak. “’Selman Stërmasi’ edhe pse është rregulluar, parkimi i bashkisë funksionon, është pastër prapë të kujton ish ‘Qemal Stafën e vjetër’. Sado që ne u munduam ta animonim këtë verë me koncerte, me aktivitete, cirk prapë është një ndërtesë nuk i rri Tiranës së kësaj kohe dhe e ka aktivitetin ose të limituar ose të sforcuar. Dhe ka ardhur koha që të ketë fatin e ‘Arenës Kombëtare’, i cili është mbushur me jetë. Ashtu siç bëmë me ‘Arenën Kombëtare’ që bulon nga jeta dhe është bërë një super pol ekonomik në njësinë 2 ashtu do të bëjmë edhe me ‘Selman Stërmasi’ në njësinë 5 për t’i dhënë edhe atij poli një realitet të ri me agjencinë shqiptare të investimeve.

Kështu që me këtë dakordësi i hapim rrugë që të fillojë një konkurs për dizajnin edhe termat financiarë të një hapësire që i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë si arena ndërkombëtare mos më mirë se kemi mësuar nga çdo projekt, për t’i bërë gjërat më mirë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës. “Selman Stërmasi”, që aktualisht është në përdorim nga klubi i futbollit Tirana, shumë shpejt pritet të shembet për t’i lënë vendin një projekti të ri, që përfshin edhe një impiant modern futbolli. Rijetëzimi i “Selman Stërmasit”, ka kohë që diskutohet dhe tani po bëhet realitet. Bashkia ka hartuar një relacion që përfshin edhe aneksin e stadiumit, një fushë pranë tij të pashfrytëzuar, me një sipërfaqe totale prej 27.446 m2 që do kthehet në një mundësi për zhvillimin e pasurive të paluajtshme në funksion të përforcimit të infrastrukturës urbane dhe sportive në Shqipëri.

IMPIANTI – Stadiumi “Selman Stërmasi”, që njihet ndryshe edhe stadiumi “Dinamo”, është ndërtuar në vitin 1955 dhe është rikonstruktuar për herë të parë dhe të fundit në 2015-ën nga KF Tirana. Prej disa muajsh, për shkak të amortizimit, aty nuk luhet më futboll, por përdoret vetëm për koncerte. Bashkia duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me klubin Tirana për projektin, pasi bardheblutë e kanë në përdorim stadiumin të paktën edhe për 4 vite të tjera.

PROJEKTI I VJETËR – Vetë klubi Tirana kohë më parë ka pasur një plan për ndërtimin e stadiumit. Nëse në “Air Albania” janë 22 mijë vende të ulura, në “Selman Stërmasi” mendohej të ishin 14 mijë vende të ulura. Një stadium, goxha i madh, që i shtohen 6 mijë vende nga kapaciteti ekzistues. Të shohim se si do të jetë projekti i ri. Diskursi i muajve të fundit në Tiranë u vërtetua. “Selman Stërmasi” do të shembet, ndërkohë që zona rreth stadiumit do të ridimensionohet.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"