Bashkia hap zyrtarisht ankandin, klubi i Kategorisë së Parë është në shitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 20:59

Bashkia hap zyrtarisht ankandin, klubi i Kategorisë së Parë është në shitje

Aksionet e klubit të Lushnjës janë zyrtarisht në shitje, pasi Bashkia ka miratuar nxjerrjen në ankand. Hapi i dytë dhe final do të jetë ai i pranimit të ofertave.

Lushnja

Njoftimi i kryetares së Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa:

“Sot me mazhorancë votash, pa dallime të forta politike, por me sensibilitetin e madh të opinionit sportiv në Lushnjë, hodhëm hapin e parë të rëndësishëm drejt një hapi të shumëkërkuar ndër vite nga tifozët e Lushnjës; nxjerrja në ankand e aksioneve të “K.F. Lushnja 1930″ është tanimë një një realitet. Nga ky moment përgatitemi për hapin e dytë dhe final, atë të pranimit të ofertave për Presidencën e re të klubit të futbollit! Do të jetë një proces po aq serioz sa ky që kemi realizuar, me qëllim që aksioneri apo aksionerët e rinj të jenë vërtet të denjë për të udhëhequr Lushnjën e futbollit drejt objektivave të rëndësishme, sikurse ky qytet e meriton”.

Propozimet e miratuara:

– 1. Dhënien e pëlqimit për shpalljen për shitje të 100% të aksioneve që Bashkia Lushnjë zotëron si aksionare e vetme në shoqërinë “KF Lushnja 1930” sh.a.

– 2. Çmimi minimal i shitjes së 100% të kuotave është 14,077,066 lekë(katërmbëdhjetë milionë e shtatëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë.

– 3. Forma e shitjes së aksioneve që zotërohen nga Bashkia Lushnjë, në shoqërinë Klubi i Futbollit Lushnja 1930 sh.a. të bëhet nëpërmjet procedurës konkurruese; Procedurë e Hapur Standard e Ankandit, sipas dokumenteve standardeve tip të ankandit, bashkëngjitur këtij vendimi.

– 4. Procedura e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve, që zotëron Bashkia Lushnjë të nis me vlerën 14,077,066 lekë(katërmbëdhjetë milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë.

Përmbledhja e vlerësimit të shoqërisë “KF Lushnja 1930” sh.a.

Pas vitit 2008 u krijua baza ligjore për transformimin e klubeve të futbollit në shoqëri tregtare dhe për rrjedhojë edhe për transferimin e pronësisë së klubeve të futbollit te subjektet private. Në këtë proces, klubi i futbollit të Lushnjës u transformua në shoqëri aksionare me kapital themelimi 3 500 000 lekë. Kapitali fillestar i nënshkruar është 3 500 000 lekë i ndarë në 3500 aksione me vlerë nominale 1 000 lekë secili, me aksionar të vetëm Bashkinë Lushnjë. Deri në 13 dhjetorin e vitit të kaluar kapitali i shoqërisë u rrit në 4 187 369 lekë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"