Bashkia nxjerr në shitje klubin e Lushnjës, ja vlera me të cilin nis ankandi i privatizimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 14:40

Bashkia nxjerr në shitje klubin e Lushnjës, ja vlera me të cilin nis ankandi i privatizimit

Skuadra e Lushnjës po shkon drejt kalimit te biznesi privat, pasi bashkia ka bërë gati procesin e privatizimit të klubit të futbollit.

sefa takon ekipin e lushnjes

Në mesditën e së premtes, do të mblidhet Këshilli Bashkiak i Lushnjës, që kryen edhe rolin e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarëve të “KF Lushnja 1930” sh.a. Aty do të diskutohet një projekt-vendim, me propozim të kryetares së asamblesë: “Për dhënien e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të KF Lushnja 1930 sh.a “masën 100%”.

PROPOZOHET

– 1. Dhënien e pëlqimit për shpalljen për shitje të 100% të aksioneve që Bashkia Lushnjë zotëron si aksionare e vetme në shoqërinë “KF Lushnja 1930” sh.a.

– 2. Çmimi minimal i shitjes së 100% të kuotave është 14,077,066 lekë(katërmbëdhjetë milionë e shtatëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë.

– 3. Forma e shitjes së aksioneve që zotërohen nga Bashkia Lushnjë, në shoqërinë Klubi i Futbollit Lushnja 1930 sh.a. të bëhet nëpërmjet procedurës konkurruese; Procedurë e Hapur Standard e Ankandit, sipas dokumenteve standardeve tip të ankandit, bashkëngjitur këtij vendimi.

– 4. Procedura e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve, që zotëron Bashkia Lushnjë të nis me vlerën 14,077,066 lekë(katërmbëdhjetë milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë.

Përmbledhja e vlerësimit të shoqërisë “KF Lushnja 1930” sh.a.

Pas vitit 2008 u krijua baza ligjore për transformimin e klubeve të futbollit në shoqëri tregtare dhe për rrjedhojë edhe për transferimin e pronësisë së klubeve të futbollit te subjektet private. Në këtë proces, klubi i futbollit të Lushnjës u transformua në shoqëri aksionare me kapital themelimi 3 500 000 lekë. Kapitali fillestar i nënshkruar është 3 500 000 lekë i ndarë në 3500 aksione me vlerë nominale 1 000 lekë secili, me aksionar të vetëm Bashkinë Lushnjë. Deri në 13 dhjetorin e vitit të kaluar kapitali i shoqërisë u rrit në 4 187 369 lekë.

EKIPI – Lushnjarët i kanë bërë një nisje shumë të mirë këtij edicioni. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka grumbulluar 8 pikë në 5 ndeshje të luajtura deri tani, ose 54% të pikëve maksimale. Me golavarazhin pozitiv 3 gola të shënuar dhe 2 të pësuar, verdhejeshilët kanë 5 pikë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, teksa kishin vetëm 3 pikë në 5 ndeshje, duke regjistruar 5 gola të shënuar dhe 12 të pësuar. Nisja e mirë e këtij edicioni ndikoi edhe në pjesëmarrjen e publikut lushnjar në stadiumin “Roza Haxhiu”, ku në ndeshjen me Besën numëroheshin rreth 2000 shikues. Lushnjarët barazuan pa gola dhe pozicionohen në vendin e katërt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"