BASKET FEMRA/ Agim Dalipi “snobon” Partizanin: Tirana, rivalja kryesore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 13:05

BASKET FEMRA/ Agim Dalipi “snobon” Partizanin: Tirana, rivalja kryesore

Agim Dalipi kërkon të shijojë për herë të parë si trajner me Flamurtarin e basketbollit të femrave titullin kampion. Ai e mori drejtimin e skuadrës pas emërimit të Elona Hasanajt në krye të klubit shumësportësh, duke pasur ecuri shumë pozitive.

WhatsApp Image 2024-04-09 at 12.12.06 (1)

Për “Panorama Sport”, trajneri Dalipi thekson se Tirana është rivalja kryesore, teksa komenton edhe suksesin e arritur në shtesë kundër bardhebluve në ndeshjen e fundit të sezonit të rregull: “Tirana është një skuadër shumë e fortë, e kemi thënë dhe e kemi ditur që në fillim. Rivalja jonë kryesore për titullin kampion është Tirana para Partizanit. Ne patëm diçka më shumë dhe rikuperuam shumë topa, sidomos mbrojtja jonë funksionoi në përgjithësi shumë mirë. Ndeshjen e fituam ne pasi bëmë edhe më pak gabime, ndërsa vajzat ishim edhe më të qeta, gjithashtu edhe më të qarta taktikisht, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Realizuan lojtaret kryesore që gjuajnë për tri pikë dhe arritëm që ndeshjen ta fitojmë me shtesë, më vështirësi, por kjo është gjë e bukur. Fitorja me Tiranën për ne do të thotë një hap drejt titullit. Vajzave iu uroj suksese. U them që të luajnë kështu dhe të shkojmë drejt titullit kampion”, u shpreh fillimisht Dalipi, i cili më pas foli edhe për Partizanin: “Para ndeshjes me Partizanin skuadra ka patur edhe probleme, pasi dy lojtare kryesore kanë qenë të sëmura. Por edhe në atë ndeshje kemi bërë një lojë të mirë, kryesisht në mbrojtje, ku u paralizuan lojtaret kryesore të Partizanit që ishin lojtare që gjuanin shumë mirë për tri pikë, të cilat ne i detyruam që të bënin humbje topi dhe të mos realizonin”, deklaroi trajneri vlonjat.

“PLAY OFF” – Në “play off”, Flamurtari do ta nisë mbrojtjen e titullit, duke u përballur me Vllazninë në gjysmëfinale. “Në gjysmëfinale jemi me Vllazninë e Shkodrës dhe shkojmë të sigurt për titullin kampion. Ky kampionat është shumë i vështirë, pasi Tirana është një ekip shumë i fortë. Ka vajza që gjuajnë dhe vrapojnë. Por unë kam besim maksimal te skuadra ime. Fitorja në ndeshjen e fundit na ka dhënë edhe më shumë besim, pasi do të kemi edhe avantazhin e fushës”, deklaron trajneri.

G

TIFOZËT – Agim Dalipi fton tifozët që të mbështesin Flamurtarin në ndeshjet e “play off”-it, pasi vetëm me ata skuadra kompletohet. “Ne na kënaqi entuziazmi dhe ndihma që tifozët na dhanë. Spektatorët, tifozët tanë janë lojtari i gjashtë dhe na japin shumë emocione, dëshirë dhe entuziazëm të jashtëzakonshëm. Ndeshjet finale janë shumë të rëndësishme. Ftoj tifozët që të na mbështesin. Pa lojtarin e gjashtë, skuadra e Vlorës nuk quhet skuadër. Kompletohemi vetëm me mbështetjen e tifozëve tanë”, përfundon Dalipi.

F

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"