BASKET FEMRA/ Tirana me pikë të plota fazën e parë, Flamurtari dominon Partizanin
Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka përfunduar fazën e parë të sezonit të rregullt, me dy ndeshje të zhvilluara të shtunën për javën e shtatë.
Tirana vazhdon serinë e rezultateve të shkëlqyera, duke njohur vetëm fitore në këtë pjesë të parë të kampionatit. Vajzat bardheblu të trajneres Mirza Alibegaj nuk e patën aspak të vështirë ndaj Vllaznisë, teksa i mposhtën shkodranet me rezultatin e thellë 94-59 në sallën “Farie Hoti”. Një ndeshje e dominuar nga kampionet në fuqi, të cilat futën në kasafortë suksesin e gjashtë në po kaq takime të zhvilluara.
Kryendeshja e javës ishte përballja e Vlorës ndërmjet Flamurtarit dhe Partizanit, një takim i komanduar nga vendëset. Vlonjatet triumfuan bindshëm në shifrat 84-66 (24- 14, 20-18, 16-23, 24-11), duke e bërë diferencën kryesisht në periodën e parë dhe të fundit. Amerikania Johnson, me 25 pikë, 14 kërcime e 5 asistime udhëhoqi Flamurtarin, duke merituar edhe vlerësimin MVP. Për të kuqet u dallua Sarah Mgbeike, autore e 23 pikëve dhe 10 kërcimeve, por që mbetëm vetëm për statistikë.
Flamurtari ruan vendin e dytë në kampionat, ndërsa të kuqet qëndrojnë të tretat. Në ndeshjen hapëse të javës së shtatë, Studenti mundi në transfertë Elbasanin me rezultatin treshifror 100-60, takim i zhvilluar të premten.E.SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"