BASKET K1/ Partizani ringrihet kundër Flamurtarit, triumfon edhe Skënderbeu
Pas humbjes ndaj një rivali direkt si Elbasani, Partizani u është rikthyer fitoreve në Kategorinë e Parë të basketbollit për meshkuj.
33 herë kampionët e Shqipërisë triumfuan të shtunën ndaj Flamurtarit në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Një ndeshje e dominuar nga të kuqtë e Erdal Borovës, të cilët fituan në shifra të thella, 81-53. Partizani e tregoi forcën menjëherë, duke marrë periodën e parë 20-6, ndërsa e dyta ishte më e ekuilibruar, e mbyllur 16-15 për kryeqytetasit, me ekipet që shkojnë në pushimin e madh në shifrat 31-21 në favor të të zotëve të shtëpisë.
Pas një çereku të tretë të balancuar, që u mbyll 21-22 për vlonjatët, Partizani shpërtheu në 10-minutëshin e fundit, duke fituar 24-10, për ta mbyllur sfidën me +28 pikë epërsi. Kapiteni Abdel Gjyzeli udhëhoqi të kuqtë me 25 pikë, 8 kërcime dhe 6 asistime. Kontribut të rëndësishëm në suksesin e Partizanit dha edhe Kristi Koçi, i cili realizoi 9 pikë dhe 2 kërcime, duke rezultuar një vlerë e shtuar për ekipin, ndonëse është vetëm 18 vjeç. Për vlonjatët shënuesi më i mirë ishte Artur Sako me 14 pikë, mbështetur nga Eraldo Kollovi me 10 pikë e 13 kërcime.
Java e gjashtë u mbyll dje me derbin e juglindjes ndërmjet Skënderbeut dhe Pogradecit, takim i fituar nga korçarët me rezultatin 92-77 (17-12, 25- 22, 20-25, 30-18). Një takim që dhuroi rivalitet për tri perioda, ndërsa Skënderbeu e realizoi shkëputjen vendimtare vetëm në 10-minutëshin e fundit. Bruno Topi me 27 pikë, 7 kërcime dhe 7 asistime si dhe Marc Emile me 19 pikë e 11 kërcime bënë diferencën për vendësit. Për ekipin liqenor nuk mjaftuan Besjan Selimaj, autor i 19 pikëve dhe plot 27 kërcimeve si dhe Jahnaarious Snell me 40 pikë e 13 kërcime.
Në ndeshjen hapëse të javës, Elbasani shkatërroi të premten Fierin në shifrat 123-88, duke vijuar ecurinë me pikë të plota në krye të renditjes.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"