BASKET MESHKUJ/ Dy grupe dhe “Final 4”, Liga Unike zbardh kalendarin
Liga Unike e meshkujve ka zyrtarizuar formatin dhe kalendarin e sezonit 2024-2025 në radhët e meshkujve. Kompeticioni i përbashkët i basketbollit me klube nga Shqipëria dhe Kosova edhe këtë edicion vjen me format të ri. Liga Unike 2024-2025 do të zhvillohet me tetë ekipe, katër nga Shqipëria dhe katër nga Kosova, të ndara në dy grupe, me ndeshjet që do të luhen me sistem vajtje-ardhje.
Në fund të fazës së grupeve vendet e para dhe të dyta do të kualifikohen për në “Final 4”, fazë që këtë herë do të zhvillohet në Kosovë. Në Grupin A marrin pjesë, Besëlidhja, Teuta nga Shqipëria si dhe Bashkimi dhe Vëllaznimi nga Kosova, ndërsa në Grupin B janë Golden Eagle Ylli e Sigal Prishtina të Kosovës si dhe Tirana e Vllaznia të Shqipërisë. Rezultatet e ndeshjet ndërmjet ekipeve të Kosovës do të llogariten nga duelet mes tyre në kampionatin vendës.
Organizatorët njoftojnë se java e parë do të nisë këtë mesjavë më datat 4-5 dhjetor, me ndeshjet ndërmjet ekipeve të Shqipërisë. Sfida hapëse e kompeticionit mbarëkombëtar do të jetë nesër në orën 18:00 në sallën “Farie Hoti”, aty ku Tirana pret Vllazninë, ekipe që u përballën edhe të dielën në kampionat, me kuqeblutë që fituan në Shkodër.
Më tej, të enjten në orën 18:00 në “Asllan Rusi” do të matin forcat Besëlidhja dhe Teuta. Në këtë edicion tërheq vëmendje mungesa e Trepçës, ekipit kampion në fuqi në Ligën Unike, gjithashtu mungon një tjetër skuadër elitare e Kosovës si Peja.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"