BASKET MESHKUJ/ “Ia dolëm me shumë vështirësi dhe përgjegjësi”, trajneri i Tiranës: Titulli paska më tepër emocione si trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2023 | 9:15

BASKET MESHKUJ/ “Ia dolëm me shumë vështirësi dhe përgjegjësi”, trajneri i Tiranës: Titulli paska më tepër emocione si trajner

Pesë vite më parë e ngrinte lart trofeun e kampionit për Tiranën si lojtar në parket, ndërsa tashmë Erkand Karaji është strategu i suksesit të bardhebluve nga pankina.Një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, i nisur në sezonin e posttitullit të 2018-ës, me një Tiranë që nuk kishte as uniforma për luajtur, ndërsa tashmë kurorëzohet me trofeun më të rëndësishëm.vcxc

Trajneri i bardhebluve ka rrëfyer emocionet e titullit të parë si trajner: “Tashmë si trajner është një emocion shumë i madh, është diçka komplet ndryshe. E kam fituar më përpara si lojtar titullin kampion, por vështirësitë dhe përgjegjësitë paskan qenë shumë më të mëdha si trajner, ama në fund fare edhe kënaqësia qenka më e madhe”, deklaron Erkand Karaji.

Më pas vijon me falenderimet: “Dua që t’i falënderoj që të gjithë, duke nisur në radhë të parë nga çunat e ekipit, nga i pari tek i fundit, pasi ua kam ‘nxirë jetën’, por në fund gjithçka ia ka vlejtur. Një falënderim shkon për mbështetjen e klubit që e kemi pasur nga fillimi e deri në fund, me drejtoreshën Deborah Keçi. Gjithashtu edhe sponsorin Neptun, i cili ka dy vite që beson dhe investon te ne për këtë titull dhe në fund më vjen mirë që ia shpërblyem. Dua të falënderoj gjithashtu edhe tre arbitrat, pasi më në fund lanë që të luhet basketboll. Ishin tre arbitra të rinj dhe ndoshta jo me shumë eksperiencë, por janë treguar shumë profesionalë”.

Trajneri bardheblu rrëfen se si erdhi përmbysja e çmendur ndaj Besëlidhjes: “Në fakt unë e thashë edhe në ndeshjen që kaloi dhe shumë pak veta mund të besonim që ne mund ta kthenim, por unë dhe ekipi kurrë nuk e kemi humbur besimin. Kemi punuar njësoj si në fillim të kampionatit dhe deri në fund, si kur kemi pësuar 5 humbje rresht edhe kur kemi pasur 6 fitore rresht. Edhe kur ishim 0-2 në finale, gjithashtu edhe kur barazuam 2-2, kemi pasur të njëjtin besim. Prandaj dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët, pasi kanë dhënë shpirtin dhe realisht e kanë merituar. Një titull që e ka merituar i gjithë klubi. Gjithashtu falënderoj tifozët, të cilat na dhanë atë shkëndijën e fundit, që le të themi se na mungonte. Falë tifozëve erdhi edhe kjo përmbysje e madhe”, përfundoi trajneri Karaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"