BASKET SUPERLIGA/ Besëlidhja likuidon Vllazninë, Tirana mund me 1 pikë Teutën
Superliga e basketbollit për meshkuj ka zhvil luar të shtunën dhe të dielën ndeshjet e javës së tretë. Një javë që dhuroi përballje interesante, ndërsa konfirmoi edhe një herë Besëlidhjen si forcë absolute në sportin e koshit në këto dy sezonet e fundit.Lezhjanët siguruan fitoren e tretë në kampionat dhe të 30- tën radhazi që prej edicionit të kaluar, duke mundur Vllazninë në Shkodër me rezultatin 84-95 (26-29, 26-26, 17-23, 15- 17). Derbi i veriut rezultoi një sfidë me rivalitet, teksa shkodranët provuan t’u përgjigjeshin kampionëve, me gjysmën e parë të ndeshjes që ishte e ekuilibruar. Në pjesën e dytë skuadra e Afrim Bilalit e përmirësoi fazën mbrojtëse, duke futur në kasafortë suksesin e radhës në kampionat, për ta mbyllur takimin me 11 pikë avantazh. Pesë lojtarë të Besëlidhjes shkuan në kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa MVP u shpall Julian Hamati, me një tjetër paraqitje prej lideri në parket, duke e mbyllur takimin me 27 pikë, 17 kërcime dhe 2 asistime. Për shkodranë shënuesi më i mirë ishte Dy’quavis Wilkins me 21 pikë, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte Elian Memçaj me 14 pikë, 4 kërcime dhe 6 asistime, por këto statistika ishin të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën e tretë radhazi në kampionat të kuqebluve.
Një tjetër sfidë me emocionuese e së shtunës ishte përballja mes Teutës dhe Tiranës në Durrës. Kryeqytetasit triumfuan me rezultatin minimal 63-64 (17- 17, 23-14, 8-16, 15-17) në pallatin e sportit “Ramazan Njala” pas një loje shumë të luftuar me përmbysje dhe ri-përmbysje. Pjesa e parë ishte më e mirë për bregdetarët, të cilët pas ekuilibrit të plotë në periodën e parë, dominuan në periodën e dytë, duke shkuar në pushim me 9 pikë avantazh. Por me rikthimin në parket bardheblutë e Erkand Karajit kthyen gjithçka në favor të tyre dhe u treguan më të kthjellët në momentet vendimtare të ndeshjes, duke dalë me një fitore të rëndësishme ndaj një rivali direkt. Një sukses që e mban Tiranën me pikë të plota në krah të Besëlidhjes në krye, ndërsa për Teutën kjo ishte humbja e parë sezonale. Me 17 pikë, 13 kërcime dhe 3 asistime, Endrit Hysenagolli spikati në radhët e miqve, mbështetur nga Giseld Ndreca me 13 pikë dhe 10 kërcime si dhe nga kapiteni Red Vogli, autor i 15 pikëve. Për durrsakët këtë herë nuk mjaftuan amerikanët, të cilët ishin të vetmit që shkuan në dopioshifër: 21 pikë dhe 14 kërcime për Jalon Andrews, 20 pikë dhe 10 kërcime për Bryan Powell dhe 13 pikë e 8 asistime për Morgan Taylor, por që mbeten vetëm për vlerë statistikore.Java e tretë u mbyll dje me fitoren e Kamzës në Fier kundër Apolonisë me rezultatin 89-93 (13-22, 22-27, 23-30, 31-14). Kamzalinjtë e kontrolluan lojën për tri perioda, por në fraksionin e fundit rrezikuan shumë, pasi vendësit u afruan deri në 1 pikë. Megjithatë Kamza e mbrojti epërsinë, duke marrë suksesin e parë sezonal, ndërsa Apolonia shënoi disfatën e tretë.ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"