BASKET SUPERLIGA/ Besëlidhja nuk ndalet, Tirana ngrin Teutën në frymën e fundit
Superliga e basketbollit të meshkujve ka zhvilluar javën e 13-të, një që konfirmoi Besëlidhjen si skuadrën absolute, ndërsa dhuroi edhe gjithashtu edhe rezultatet interesante, me Tiranën dhe Kamzën që morën fitore të vyera.Duke e nisur nga kampionët në fuqi, njëkohësisht dhe liderë të kampionatit, lezhjanët morën fitoren e 13-të në po kaq ndeshje, teksa këtë herë kaluan me sukses derbin e veriut kundër Vllaznisë, takim i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Besëlidhja triumfoi me rezultatin 72-81 (22-20, 22-28, 18-15, 10-18) në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Një ndeshje shumë e luftuar, të cilës ia shtoi bukurinë edhe prezenca e madhe e tifozëve.
Vllaznia provoi të bënte befasinë, duke luajtur si e barabartë për 3 perioda, por lezhjanët reaguan në periodën e fundit, duke realizuar edhe shkëputjen vendimtare që i çoi te suksesi. Kjo ishte fitorja e 40- të radhazi që prej kampionatit të kaluar për ekipin e drejtuar nga Afrim Bilali. Sërish MVP për Besëlidhjen ishte Julian Hamati, i cili edhe pse e nisi nga stoli, bëri diferencën me 21 pikë, 12 kërcime dhe 4 asistime. Për Vllazninë e drejtuar nga Eni Llazani, nuk mjaftuan amerikanët Wilkins dhe Whright, me të parin që shënoi 29 pikë, ndërsa i dyti 25. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua dje, Tirana mori një fitore me peshë në Durrës, teksa mposhti Teutën me 1 pikë, në shifrat 78-79 (18-24, 15-17, 28-15, 17- 23). Takimi i zhvilluar në pallatin e sportit “Ramazan Njala” ishte me emocione nga fillimi e deri në sirenën finale.
Heroi i ndeshjes për bardheblutë ishte Frenki Lilaj, i cili me një gjuajtje të saktë për 2 pikë, përmbysi shifrat në sekondën e fundit në favor të kryeqytetasve. Lilaj e mbylli sfidën me 20 pikë dhe 13 kërcime, ndërsa paraqitje të shkëlqyer bëri edhe Endrit Hysenagolli, autor i 21 pikëve dhe 9 kërcimeve. Spikatën gjithashtu edhe kapiteni Red Vogli me 16 pikë (katër 3-piëksha) si dhe Klein Strazimiri me 12 pikë (tre 3- pikësha). Për Teutën më i miri ishte Bryan Powell, por 24 pikët dhe 11 kërcimet e tij mbeten vetëm për vlerë statistikore, ndërsa klubi durrsak reagoi pas ndeshjes, duke akuzuar për gjykimin treshen e arbitrave: Fatjon Malevi, Ani Balliu dhe Ema Ndreu.
Kjo ishte humbja e tretë radhazi me 1 pikë për Teutën mes Superligës dhe Ligës Unike. Në takimin hapës të javës, Kamza mori një fitore shumë të rëndësishme, teksa mposhti Apoloninë në Fier me rezultatin 78-84 (23-27, 17-23, 18-17, 20-17), sfidë e zhvilluar të shtunën. Triumf i çmuar për ekipin që drejtohet nga Glen Prodani që i mban gjallë shpresat për mbijetesë në elitë. Tashmë kampionati ka marrë një rrjedhë tepër interesante si për zonën “play off”, gjithashtu edhe për atë “play out”, me Vllazninë, Apoloninë dhe Tiranën që kanë nga 18 pikë, ndërsa Kamza mbyll tabelën me 1 pikë më pak. ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"