Basketboll/ Besëlidhja saldon kreun, Kamza viktima e radhës e lezhjanëve
Superliga e basketbollit për meshkuj ka mbyllur dje javën e shtatë, me takimin ndërmjet Besëlidhjes dhe Kamzës. Lezhjanët konfirmuan edhe një herë superfuqinë e tyre, duke futur në kasafortë fitoren e shtatë radhazi në kampionat, për të salduar pozitat me pikë të plota në vendin e parë të renditjes.
Besëlidhja u shfaq dominuese edhe në këtë sfidë, duke e mundur Kamzën me rezultatin 88-78 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Me këtë sukses, skuadra e Afrim Bilalit e dërgon në 34 numrin e fitoreve radhazi në kampionat, që prej sezonit të kaluar, ku u shpall kampione pa pësuar asnjë humbje.
NDESHJA – Perioda e parë nisi dhe vijoi me rivalitet, por në çastet e fundit Besëlidhja krijoi një shkëputje të lehtë, duke fituar 23-19. Në çerekun e dytë lezhjanët e përmirësojnë shënjestrën, duke u treguar më efikasë në fazën sulmuese, për ta marrë këtë fraksion 30-20, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 53-39 në shifra të përgjithshme.
Në periodën e tretë ritmi është më i ulët, 10- minutësh që mbyllet 14-14, ndërsa pas tri periodash rezultati në tabelë shënon 67-53 për Besëlidhjen. Kamza provon të afrohet në çerekun e fundit, duke e marrë periodën 21-25, por në shifra të përgjithshme fitorja mbetet e hipotekuar për kampionët në fuqi me +10 pikë diferencë. Pesë lojtarë të Besëlidhjes shkuan në dopioshifër pikësh në këtë përballje, ndërsa vlerësimin MVP e meritoi Joshua Angle.
Ndonëse e nisi nga pankina, amerikani regjistroi 30 pikë dhe 5 kërcime. Dopietë dyshifrore për Julian Hamatin, autor i 12 pikëve dhe 11 kërcimeve, duke u shtuar edhe 4 asistime. Për Kamzën nuk mjaftoi dyshja amerikane NnanabuCushingberry, me 26 pikë secili. Kujtojmë që java e shtatë u hap më 29 nëntor, me fitoren e Teutës ndaj Apolonisë në Fier me rezultatin 78-64. Më tej, të dielën, Vllaznia fitoi klasiken kundër Tiranës, duke i mposhtur bardheblutë në Shkodër në shifrat 90-76.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"