Basketboll/ Elbasani marshon drejt elitës, Leka: Ka ardhur koha të rikthehemi
Elbasani duket se do të jetë skuadra që do t’i japë tonin këtij sezoni në Kategorinë e Parë në basketbollin e meshkujve, duke hedhur kandidaturën për t’u shpallur kampione dhe ngjitur në Superiore edicionin e ardhshëm.
Fitorja ndaj rivalit direkt, Partizanit, dy javë më parë dhe ajo ndaj Fierit, i ka dërguar në gjashtë ndeshjet radhazi me fitore, duke mbajtur vendin e parë me 12-të pikë të plota. Një ecuri perfekte kjo e verdhebluve, të cilën kanë formuar një ekip solid me tre lojtarë amerikanë dhe me një bosht të mirë vendorë.
Për kapitenin Xhino Leka, është e qartë se për Elbasanin ky është viti i duhur për rikthimin e madh, por kërkon që të mos e ulin ritmin për asnjë moment dhe të vijojnë me serinë e fitoreve deri në fund të kampionatit. “Disa herë vitet e fundit kemi hyrë në kampionat me pretendimin për t’u ngjitur, por për arsye të ndryshme nuk ia kemi dalë dot.
Ky sezon duket ndryshe, ku deri më tani ia kemi dalë të jemi 100% të saktë, duke arritur t’i fitojmë të gjitha”, shprehet Leka në një prononcim për “Panorama Sport”, ndërsa më tej vijon:
“Megjithatë, gara është ende e gjatë dhe nuk duhet për asnjë moment të ulim ritmin. Do të synojmë që edhe këtë javë me Pogradecin të tregojmë vlerat tona dhe sigurisht të kthehemi në shtëpi me një fitore. Ka ardhur koha që edhe basketbolli në Elbasan të rikthehet aty ku i takon dhe të gjithë do të japim maksimumin tonë për t’ia dalë mbanë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën kapiteni i djemve të koshit elbasanas.
Verdheblutë kryesojnë kampionatin me 12-të pikë, një më shumë sesa ndjekësit e Partizanit, ku diferencën e bën sfida direkte e para dy javëve, takim i dominuar tërësisht nga Elbasani, që arriti të triumfonte në kryeqytet me rezultatin treshifror 113-78.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"