Basketboll femra/ Tirana kryeson me “poker”, Partizani dhe Flamurtari “OK
Tirana vazhdon të shënojë rezultate të shkëlqyera në Kategorinë e Parë të basketbollit për femra. Kampionet në fuqi regjistruan suksesin katërt në po kaq ndeshje në kampionat, teksa mesditën e së shtunës fituan kundër Elbasanit me rezultatin 81-61 (23-15, 28-15, 20-8, 10-23).
Ndeshja e zhvilluar në sallën “Farie Hoti” foli për vajzat bardheblu, të cilat dominuan për tri perioda për ta ulur ritmin vetëm në çerekun e katërt. Trajnerja Mirza Alibegaj bëri gjithashtu rotacion në këtë sfidë, duke u dhënë minuta të shumta edhe lojtareve të reja. Emily Tërshalla me 10 pikë, 6 kërcime dhe 4 asistime kishte efikasitetin më të lartë për Tiranën, ndërsa u dalluan gjithashtu edhe Luna Luca me 13 pikë e 11 kërcime, ndërsa Mirela Lugaj dhe Katja Beqaj shënuan nga 12 pikë secila.
Për Elbasanin nuk mjaftuan Rexhina Hasa me 26 pikë dhe Emi Skuqi me 15. Partizani kaloi me sukses transfertën në Durrës ndaj Teutës, duke i mundur bregdetaret me rezultatin 85-96 (9-27, 16-19, 33-30, 27-20). Takimi i zhvilluar paraditen e djeshme në pallatin e sportit “Ramazan Njala” u kontrollua përgjithësisht nga të kuqet e Eliverta Bujarit. Partizani krijoi 21 pikë avantazh në pjesën e parë, për ta administruar lojën në gjysmën e dytë, ndonëse bregdetaret u afruan disi.
Vlerësimin MVP e meritoi Aida Palko, e cila bëri diferencën në parket, duke udhëhequr Partizanin me dopietë dyshifrore, 20 pikë dhe 13 kërcime, për t’i shtuar edhe 6 asistime. 19 pikë për amerikanen Sha’lynn Hagans, ndërsa Ornela Lalaj regjistroi 12 pikë, 16 kërcime dhe 7 asistime. Për Teutën spikati Tea Jaçe me 21 pikë, 7 kërcime dhe po kaq asistime, mbështetur nga Valentina Limon me 20 pikë, 9 kërcime dhe 4 asistime.
Gjithçka e thjeshtë për Flamurtarin, me vlonjatet që mundën të shtunën Vllazninë në shifra të thella 75-39 (23- 9, 25-5, 16-9, 11-16). Një ndeshje pa histori e dominuar tërësisht nga bregdetaret, ku rendimentin më të lartë e kishte Desiree Ramos me 10 pikë e 7 kërcime, ndërsa shënuesja më e mirë ishte Jose-Ann Johnson me 16 pikë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"