BASKETBOLL FEMRA/ Tirana ngre Kupën e Federatës, zbërthen Flamurtarin në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 12:19

BASKETBOLL FEMRA/ Tirana ngre Kupën e Federatës, zbërthen Flamurtarin në finale

Tirana e basketbollit të femrave e ka nisur sezonin 2024- 2025 ashtu sikurse mbylli edicionin e kaluar, duke ngritur lart trofe.

Tirana, fituese e Kupës së FSHB-së 2024

Tirana, fituese e Kupës së FSHB-së 2024

Vajzat bardheblu kanë fituar Kupën e FSHBsë, aktivitet që u mbajt gjatë fundjavës në Elbasan. Pasi kishin bërë “nxehjen” të shtunën në gjysmëfinale ndaj Elbasanit, kampionet e Shqipërisë e treguan forcën e tyre edhe në finalen e djeshme kundër Flamurtarit në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Kryeqytetaset triumfuan me rezultatin e thellë 84- 63 në një takim ku ishin kryesuese gjatë të gjithë kohës. Një ndeshje që tregoi se Tirana është më gati për sezonin e ri, ndërsa për vlonjatet duhet të shërbejë si një kambanë alarmi.

NDESHJA – Finalja e Kupës së FSHB-së vendosi përballë dy ekipet që vetëm disa muaj më parë u përballën për titullin dhe sërish ato që festuan ishin vajzat bardheblu. Skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj e nisi mirë, duke marrë periodën e parë 22-15, ndërsa çereku i dytë u fitua nga Flamurtari 17-19. Ekipet shkuan në pushimin e madh me epërsinë 39-34 për kryeqytetaset. Në pjesën e dytë Tirana e thelloi epërsinë, për ti fituar dy periodat e tjera 22-17 dhe 23-12, duke vulosur suksesin me 21 pikë diferencë. Në fund kishte vend për festën e merituar të Tiranës, ndërsa sekretari i FSHB-së, Franko Bushati, i dorëzoi trofeun kapitenes Dajana Baraj. Lojtarja e ndeshjes ishte elbasanasja Enisa Qosja, e cila në parketin u është rritur realizoi 27 pikë në finale për bardheblutë.

MIRZA ALIBEGAJ – Trajnerja e Tiranës, Mirza Alibegaj, u shfaq e kënaqur me paraqitjen e skuadrës së saj në kompeticionin e parë të sezonit, teksa për “Panorama Sport” deklaroi: “Jam e lumtur për fitimin e kësaj ndeshje, pasi është aktiviteti i parë i federatës dhe ekipet shohin lojtaret që kanë marrë. Ne jemi në fillim të përgatitjeve dhe kuptohet që skuadra nuk është në formën maksimale, por jam e kënaqur për atë që kanë dhënë vajzat këto dy ditë”, u shpreh Alibegaj, e cila më pas foli edhe për sezonin e ri: “Këtë sezon si Flamurtari, Partizani, Teuta apo të gjitha ekipet e tjera me Studentin dhe Vllaznisë, janë skuadra të cilat do të luftojnë deri në fund për të fituar titullin kampion. Rruga është shumë e gjatë deri në maj, prandaj duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shohim përpara”, përfundoi trajnerja bardheblu.3 4VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"