BASKETBOLL/ Para-kualifikueset e Kupës së Botës 2027, Shqipëria mposhtet nga Austria
Shqipëria ka pësuar humbjen e dytë në para-kualifikueset e Kupës së Botës 2027 në basketboll për meshkuj.Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj u mund mbrëmjen e djeshme nga Austria me rezultatin e thellë 63- 99, takim i vlefshëm për Grupin C. Ndonëse pritshmëritë dhe euforia në kampin kuqezi ishin të larta para këtij takimi, loja e Shqipërisë la për të dëshiruar, ndërsa austriakët dominuan në çdo aspekt në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.
NDESHJA
Minutat e para ishin të ekuilibruara, me Shqipërinë që e nisi mirë dhe iu përgjigj ritmit të lojës së kundërshtarit. Spikatën Hamati dhe Pullazi, të cilët ndezën sallën me dy 3- pikësha të njëpasnjëshëm. Por gradualisht doli në pah kualiteti më i lartë i austriakëve, me periodën e parë që fitohet prej tyre 18-27. Çereku i dytë nisi i balancuar, teksa fillimisht kuqezinjtë i ruajtën distancat dhe nuk lejuan thellimin e rezultatit, por në dy minutat e fundit, Austria u shkëput edhe më shumë, duke përfituar edhe nga gabimet e lojtarëve tanë.
Kështu austriakët e morën edhe periodën e dytë 17-23, duke shkuar në pushimin e madh me 15 pikë avantazh, në shifrat e përgjithshme 35-50. Me rikthimin në parket për periodën e tretë, Kombëtarja jonë u shpërbë tërësisht, duke gabuar thuajse gjithçka, ndërsa Austria u tregua saktë në të dyja fazat, për ta thelluar avantazhin në mënyrë konstante. Kështu miqtë e fituan periodën 12-35, duke u shkëputur në +35 pikë pas 30 minutash lojë, teksa kryesuan në shifra të përgjithshme me rezultatin 47-82. Çereku i fundit mbeti sa për formalitet, me miqtë që e morën 16-17, duke vulosur suksesin me +36 pikë në shifrat finale 63-99. Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të jetë më datë 20 shkurt, sërish në shtëpi kundër Armenisë.
LAMTUMIRA E HYSENAGOLLIT
Gjatë pushimit të ndeshjes së mbrëmshme mes Shqipërisë dhe Austrisë u zhvillua edhe një ceremoni, ku Endrit Hysenagolli i dha lamtumirën ekipit përfaqësues në moshën 36-vjeçare. Pas 19 vitesh dhe 64 ndeshjes ndërkombëtare, Hysenagolli e mbyll zyrtarisht karrierën me ngjyrat kuqezi si një prej basketbollistëve më të rëndësishëm shqiptar të dekadave të fundit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"