Basketboll/ Provë force për elitën, Elbasani çmonton Partizanin në kryeqytet
Kategoria e Parë e basketbollit për meshkuj ka zhvilluar të shtunën dhe të dielën ndeshjet e javës së pestë, ku vëmendja kryesore ishte te përballja e ekipeve kryesuese ndërmjet Partizanit dhe Elbasanit. Verdheblutë treguan forcën e tyre në këtë sfidë direkte për vendin e parë që të ngjit në elitë, duke dominuar ndaj të kuqve në kryeqytet.
Skuadra e drejtuar nga Rezart Çeka triumfoi me rezultatin treshifror 78-113, duke e mbyllur kështu fazën e parë me pikë të plota. Takimi i zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” vendoste përballë dy ekipe me filozofi të ndryshme, me Partizanin që është i ndërtuar tërësisht me lojtarë vendorë dhe me të rinj të talentuar, ndërsa nga ana tjetër Elbasani me tre të huaj në përbërje. Të kuqtë e Erdal Borovës e nisën më mirë ndeshjen, teksa nën entuziazmin e minutave të para, u shkëputën deri në 7 pikë avantazh.
Por miqtë rikuperuan, ndërsa perioda e parë u mbyll në baraspeshë të plotë, 28-28. Më tej takimi nuk kishte më histori, pasi Elbasani dominoi në tri periodat e radhës, duke i marrë ato përkatësisht 9-27, 16-26 dhe 25-32, për të vulosur suksesin final me +35 pikë. MVP u shpall amerikani David Thompson me 39 pikë, 6 kërcime dhe 7 asistime për Elbasanin, mbështetur nga kapiteni Alban Çela me 20 pikë, 15 kërcime dhe 7 asistime.
Për Partizanin më i miri ishte kapiteni Abdel Gjyzeli, autor i 23 pikëve, 11 kërcimeve dhe 2 asistimeve. Në ndeshjet e tjera, Flamurtari mundi Skënderbeun 91-75 në Vlorë, ndërsa Fieri fitoi thellë në transfertë ndaj Pogradecit në shifrat 78-104.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"