BASKETBOLL/ Sezoni i ri, Bushati: Risi te moshat dhe ndryshim me të huajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2024 | 17:05

BASKETBOLL/ Sezoni i ri, Bushati: Risi te moshat dhe ndryshim me të huajt

Pas përfundimit të aktiviteteve verore me kombëtaret, basketbolli shqiptar po bëhet gradualisht gati për edicionin e ri sportiv 2024-2025, që pritet të nisë në fund të shtatorit me Kupën e Federatës. Franko Bushati, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për edicionin e ri të sportit të koshit.

franko bushati

Bushati rrëfen risitë e këtij sezoni, duke nisur nga kampionatet e moshave, ndërsa konfirmon se ndryshim do të ketë edhe për numrin e lojtarëve të huaj. Sekretari i FSHB-së ndalet edhe te kombëtaret, duke e konsideruar përfaqësimin europian të kësaj vere si më të suksesshmin që kanë patur ekipet kuqezi, me 5 medalje të fituara në kompeticionet e FIBA-s.

Bushati, jemi në prag të edicionit të ri sportiv të basketbollit. Si do të jetë ai dhe cilat do të jenë risitë?
Përpiqemi të dëgjojmë gjithmonë zërin e shoqatave dhe klubeve dhe një nga kërkesat ka qenë që të kemi dy kategori te djemtë dhe me shumë mundësi do të shkojmë drejt kësaj rruge. Këtë vit do të kemi edhe kampionatet U-20, të cilat do të zhvillohen si për vajza gjithashtu edhe për djem. Në ndryshim tjetër ka të bëjë edhe me kampionatin U-14, i cili kur unë kam ardhur këtu ka mbaruar shumë shpejt, ndërsa këtë sezon formati NBA Junior për U-14 do të zgjasë si një kampionat normal deri në prill. Por të gjitha këto do t’i shpjegojmë më hollësisht me detaje në një konferencë për shtyp gjatë ditëve në vijim, ku gjërat do të jenë edhe më të qarta. Sezoni do të fillojë në fundin e shtatorit me Kupën e Federatës, për të vijuar më pas me kampionatet dhe aktivitetet e tjerra, si Superkupa apo Kupa. Besoj që te femrat do të jetë një kampionat shumë i fortë me disa ekipe pretendente, do të kemi gjithashtu edhe Ligën Unike.

Një temë shumë e diskutuar në komunitetin e basketbollit është edhe ajo e numrit të lojtarëve të huaj. Do të vijojë kufizimi deri në 3 lojtarë, apo priten ndryshime?
Po, edhe për të huajt do të ketë ndryshim, por siç e thashë do ta shpjegojmë gjatë ditëve në vazhdim. Bëhet fjalë për një ndryshim të thjeshtë, por duhet shpjeguar, pasi mund të keqinterpretohet.

Si e keni parë basketbollin shqiptar gjatë këtyre muajve që punoni nga afër këtu?
E kam parë ashtu si të gjithë, ku kishim një kampionat të djemtë të dominuar nga Besëlidhja. Në kampionatin e femrave ka pasur më shumë garë, ndërsa te moshat patjetër që duhet të punojmë më shumë. Te kombëtaret ra në sy edhe diferenca, sidomos te djemtë, te lojtarët që luajnë jashtë dhe te ata që kemi këtu. Na duhet të rrisim stërvitjet, të përmirësojmë nivelin e trajnerëve dhe për këtë sivjet kemi investuar shumë në këtë drejtimin, duke sjellë figura të rëndësishme të basketbollit ndërkombëtar në Tiranë. Gjithashtu këtu kemi pasur seminar me Luixhi Lamonika, arbitri më i suksesshëm i të gjithë kohërave të Euroligës.

A do të jetë e plotë, me sezon të rregullt dhe “play off” Liga Unike te meshkujt?
Për Ligën Unike jemi ende në bisedime me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe në këtë moment nuk mund të jap një përgjigje përfundimtare për sa i përket formatit të kompeticionit.

Le të ndalemi kam pak te përfaqësimet europiane të kësaj vere me ekipet kombëtare. Si do t’i gjykonit ato?
Jo se e them unë, por kjo ishte vera më e suksesshme për kombëtaret shqiptare. Jemi përfaqësuar për herë të parë me shtatë ekipe dhe kemi arritur pesë medalje. Jemi të kënaqur me rezultatet e moshave, gjithashtu edhe me ekipin e parë të vajzave që fitoi medalje në europianin e shteteve të vogla, duke mundur Qipron, një ekip kampion deri para dy vitesh. Gjithashtu për herë të parë kemi organizuar dy kampionate europiane në Shqipëri, U-16 në Tiranë dhe U-18 në Elbasan. Për këto dy aktivitete kemi marrë vlerësimet shumë të mira nga FIBA për organizimin. Në aktivitetin në Elbasan kishim edhe praninë e drejtorit ekzekutiv të FIBA-s, Kamil Novak. Gjithashtu falë bashkëpunimeve me Federatën Italiane të Basketbollit kemi sjellë në Shqipëri për ekipet tona përgatitës fizik nga Italia. Pra, kemi filluar një mentalitet të ri pune. Klaudio Ndoja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me lojtarët shqiptarë që luajnë jashtë, fillimisht duke i evidentuar dhe më pas duke i mbajtur gjithnjë në vëzhgim. Kam shumë besim që në nëntor do të kemi një ekip më shumë se dinjitoz edhe me Kombëtaren e rritur të djemve.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"