BASKETBOLL/ Shqipëria nis përgatitjet, trajneri Karaj: Kemi kualitet për ta mundur Austrinë
Shqipëria e basketbollit ka nisur dje zyrtarisht përgatitjet për ndeshjen kundër Austrisë, takimi i dytë në para-kualifikueset e Kupës së Botës 2027 për Kombëtaren tonë.Kuqezinjtë janë grumbulluar tashmë, ndërsa dje kanë zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Fllakë. Në pritje të grupit të plotë të lojtarëve, trajneri i Kombëtares, Erkand Karaj u shfaq optimist, duke besuar në një rezultat pozitiv në këtë përballje të rëndësishme.
“Kemi grumbulluar le të themi 12 lojtarët më të mirë që më në formë për momentin dhe mendoj që do të kontribuojnë në arritjen e objektivave që ne kemi kundër Austrisë, një ndeshje ku sigurisht synojmë fitoren. Si lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar gjithashtu edhe ata që aktivizohen jashtë, janë lojtarë me kualitetin dhe eksperiencën për të na dhënë fitoren kundër Austrisë”, deklaroi Karaj
. Shqipëria do të përballet me Austrinë më datë 21 nëntor në orën 19:30 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, sfidë e vlefshme për Grupin C. Shqipëria është mundur në takimin e saj të parë nga Armenia në transfertë me rezultatin 84-79, ndeshje e zhvilluar më 25 shkurt.
Ndërsa Austria ka fituar në shtëpi ndaj armenëve në shifrat 106-91. Për sa i përket renditjes botërore të FIBA-s, Austria renditet në vend të 65-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 94-t, duke ngjitur 6 shkallë nga klasifikimi i fundit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"