“Basti” i qendërmbrojtësit Imami: E mposhtim Flamurtarin, Vora e mbyll vitin në vend të parë
Me fitoren e thellë në Kukës, Vora tregoi se zotëron një formë të mirë edhe përballë ekipeve që më parë ka vuajtur. Gjithsesi, vorakët e kanë lënë pas dhe i është përkushtuar ndeshjes së radhës. Pushimi i së martës do t’i lerë vendit një jave të fortë stërvitore për duelin me Flamurtari, që do të luhet të hënën e ardhshme.Lidhur me ecurinë e Vorës dhe këtë super ndeshje të javës së 14-të kundër vlonjatëve kryesues, qendërmbrojtësi Eni Imami, flet për ecurinë dhe formën pozitive që po kalon ekipi. Imami foli edhe për rëndësinë e ndeshjes ndaj ishskuadrës së tij, Flamurtari. Në lidhje me fitoren 4-0 në Kukës, për “Panorama Sport” imami u shpreh: “Në këtë periudhë, ekipi zotëron një formë të shkëlqyer për sa i përket anës fizike dhe lojës në çdo ndeshje. Pavarësisht se kemi vuajtur shumë në dy-tre ndeshje, mendoj se grupi është i konsoliduar dhe lojtarët po kalojnë një formë optimale. Kjo formë e shkëlqyer u pasqyrua edhe në transfertën e Kukësit, ku shënuam 4 gola, duke marrë fitoren më të thellë në kampionat. Patjetër që Vora do ta rrisë edhe më shumë nivelin, për t’u ngjitur më lart në renditje, gjë që do të nisim që këtë javë”.
FLAMURTARI- Dueli me Flamurtarin shikohet edhe si një mundësi hakmarrje, pasi vlonjatët i kanë mundur 3-0 në fazën e parë. “Kampionati ka shumë skuadra të forta dhe gara do të jetë e luftuar deri në fund. Kjo ndeshje përballë një rivali direkt, sigurisht që do të sjellë rritje të presionit psikologjik. Në këtë drejtim ne duhet të punojmë gjatë kësaj jave stërvitore që të jemi gati në çdo aspekt. Sigurisht, që kjo është përballja jetike për Vorën në këtë fund viti.
Është një ndeshje që nuk duhet humbur kurrsesi, madje as barazimi nuk ka vend. Ne do të kërkojmë tri pikët e radhës dhe nuk ka rëndësi hakmarrje apo jo. Ne do t’ua bëjmë ‘hyzmetin’ tri pikëve. Vora e ka detyrim kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe javën e ardhshme me bindje të plotë do të na gjeni në vendin e parë, duke e mbyllur vitin 2024 si kampionë dimri”, u shpreh qendërmbrojtësi me përvojë i Vorës, Eni Imami.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"